Kurti shpall fitoren: Nëse s’ka qeveri, jemi gati për zgjedhje të reja

Nga Erjon Dervishi
13 Tetor 2025, 15:24 | Politikë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka folur për herë të parë para mediave pas përfundimit të zgjedhjeve lokale. Kurti tha se LVV ka fituar në tri komuna pa balotazh dhe me votat e diasporës gjasat janë që edhe në Gjilan të jetë fituese pa balotazh. Teksa komentoi rezultatet preliminare të zgjedhjeve lokale të 12 tetor tha se ato treguan se Vetëvendosje është forca kryesore politike edhe në nivelin lokal.

Rezultatin e mbrëmshëm zgjedhor e konsideroi dhuratë e popullit të Kosovës për 20 vjetorin e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Në zgjedhjet e mbajtura dje sipas rezultateve preliminare Vetëvendosje ka fituar pa balotazh në Podujevë, Kamenicë dhe Shtime me votat nga diaspora mund të dal që e kemi fituar edhe Gjilanin pa balotazh që i bie që në katër komunat ku kemi qeverisur në këto katër vitet e fundit kemi fituar pa balotazh, ndërsa jemi në 12 nga 17 komunat sa kanë shkruar gjithsej në balotazh nëse e përfshijmë edhe Gjilanin aty....02/56Këto rezultate tregojnë qartë se Lëvizja jonë jo vetëm që e ka ruajtur rritjen nga cikli në ciklin tjetër zgjedhor, por është ngritur si forca kryesore politike në Kosovë edhe në nivel lokal. Kjo është dhurata më e çmueshme dhe urimi më i mirë që e kemi marr nga populli i Kosovës në këtë 20 vjetor të LVV”, deklaroi lideri i LVV-së, përcjell A2 CNN.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka ftuar organet e drejtësisë që të hetojnë Exit-Pollet e mbrëmshme për garën për kryetar të Mitrovicës së Jugut për çka tha se nuk bëhet fjalë për huqje, por ndërhyrje flagrante.

“Ajo çfarë ndodhi më 12 tetor për raportimet për Mitrovicën duhet hetuar e hulumtuar. Nuk bëhet fjalë vetëm për një huqje, por për një inxhinierim të paramenduar për ndërhyrje flagrante në procesin zgjedhor. Exit Poll-et e prezantuara gabimisht me 16 pikë të përqindjes gabim e më tepër se aq nga më shumë se një organizatë dhe për të njëjtën komunë dhe postimi i lajmeve të rreme se kush ishte fituesi ende pa u mbyllur vendvotimet, nuk janë thjeshtë një huqje, por kjo është cenim i demokracisë, i zgjedhjeve të lira dhe integritetit dhe integriteti dhe sigurisë të shtetit tone. I ftoj organet e sigurisë dhe drejtësisë që të merren me këtë çështje”, tha Kurti.

Ndonëse rezultatin e mbrëmshëm e konsideron të kënaqshëm, Kurti u shpreh i bindur që partia e tij do të dal fituese në të gjitha komunat ku kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje janë në balotazh. Kurti shtoi gjithashtu se dita e fundit për ta prezantuar kabinetin e ri qeveritar, është 26 tetori.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti sa i përket krijimit të qeverisë së re tha se shumë shpejt do të filloj komunikimet dhe bisedat për qeverinë qendrore. “Për qeverinë qendrore dita e fundit kur do të mund të mbahet seanca ku unë prezantoj kabinetin është 26 tetori. Këto dite jemi të angazhuar në analizën gjithëpërfshirëse, por shumë shpejt do të fillojmë komunikimin dhe bisedat edhe për qeverinë qendrore, sepse Kosovës i duhet edhe një mandat i qeverisë sonë”, theksoi Kurti.

Sa i përket asaj se LVV a është e gatshme për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, Kurti tha se nëse nuk ka Qeveri Kurti 3 janë të gatshëm për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. "Ne po bëhemi gati të qeverisëm anë e mbanë komunat e Kosovës po bëhemi gati për qeverinë Kurti 3. Nëse nuk ka Kurti 3 padyshim jemi të gatshëm për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare... Gatishmëria jonë është e plotë dhe plani ynë është Qeveria Kurti 3”.

Kosova dje përmbylli procesin e zgjedhjeve lokale. Nga 2 milionë e 25 mijë e 105 qytetarë me të drejtë vote, 811 mijë e 984 prej tyre votuan duke përfaqësuar 40.10% pjesëmarrjen në votime në zgjedhjet lokale në nivel vendi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos