Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, Partia Demokratike e Kosovës ka arritur të marrë numrin më të madh të votave në nivel vendi, sa i përket garës për Kuvendet Komunale, ku radhitet e para me mbi 175 mijë vota. Para LDK-së me 168 mijë vota dhe para VV-së me 156 mijë vota.
PDK ka fituar në raundin e parë në tri komuna: Ferizaj, Skënderaj dhe Han të Elezit.
Ndërkohë, bazuar në rezultatet preliminare, Partia Demokratike e Kosovës do të garojë në balotazh në gjashtë komuna, prej të cilave në katër u radhit e para.
Komunat ku PDK-ja shkon si e para në balotazh janë: Prizreni, Mitrovica, Vushtrria dhe Kaçaniku. Ndërsa në Klinë dhe Dragash, PDK shkon si e dyta në balotazh.
Ndërkaq, PDK ka arritur të shndërrohet si forcë kryesore politike edhe në kryeqytet. Sa i përket votave të marra për Kuvendin Komunal të Prishtinës, PDK ka arritur rezultatin më të mirë ndonjëherë, duke u radhitur si parti e dytë me mbi 21 mijë vota, pa u numëruar ende të gjitha kutitë.
Ndërkaq, kandidati ynë për kryetar Uran Ismaili është radhitur i treti me 28 mijë e 588 vota, me mbi 10 mijë vota më shumë se në zgjedhjet e vitit 2021.
Në tërësi, në garën për kryetar në nivel vendi, PDK ka dalë e dyta me 200 mijë vota.
Në të gjithë Kosovën, janë të panumëruara edhe 84 vendvotime të tjera, dhe ky rezultat mund të rritet edhe më shumë. (A2 Televizion)