Kurti takon Baker: Kosova e gatshme të fuqizojë raportet me SHBA në fushën e mbrojtjes

Nga A2 CNN
2 Gusht 2025, 22:37 | Politikë

Kurti takon Baker: Kosova e gatshme të fuqizojë raportet me SHBA

Kryeministri në detyrë Albin Kurti takoi sonte zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të Mbrojtjes David Baker, i shoqëruar nga E Ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, në një darkë pune të shtruar nga ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, ishin ndër temat kyçe të diskutimit, raporton KosovaPress.

Kurti informoi Baker mbi zhvillimet dhe progresin në vend, investimet në mbrojtje dhe nevojën e rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe shtimit të investimeve.

Ai e falënderoi Baker dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen jetike që i kanë dhënë Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe për rolin e saj të vazhdueshëm për sigurinë dhe paqen.

Kurti gjithashtu shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të fuqizuar më tej raportet me SHBA-në në fushën e mbrojtjes, përfshirë industrinë e mbrojtjes.

Në këtë darkë morën pjesë edhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti.

Kujtojmë, zyrtari i lartë amerikan David Baker gjatë vizitës së tij në Kosovë është takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani, ministrin në detyrë të Mbrojtjes Ejup Maqedonci, kreun e KFOR-it, si dhe ka vizituar Ambasadën amerikane në Prishtinë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos