Zgjedhje apo konstituim të Kuvendit, Hargreaves: Kosova është në një krizë serioze

Nga A2 CNN
31 Korrik 2025, 21:49 | Politikë

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves ka bërë me dije se Kosova po përjeton një krizë politike e cila përbën një moment shumë serioz për Prishtinën.

Në një intervistë për Radio Gorazdevac, diplomati i lartë britanik thekson se kriza në Kosovë po ndikon edhe në marrjen e vendimeve të rëndësishme.

"Kjo është një krizë dhe jo vetëm politike. Unë besoj se ky është një moment shumë serioz për Kosovën. Kosova ka nevojë urgjente për një qeveri dhe parlament të formuar siç duhet, të aftë për të marrë vendime të rëndësishme në lidhje me vendin e Kosovës në botë dhe me fondet që aktualisht ndodhen në parlament, duke pritur miratimin. Këto fonde nuk mund të përdoren për momentin dhe Kosova rrezikon t'i humbasë ato", tha Jonathan Hargreaves, Ambasadori anglez në Kosovë.

Duke folur për rolin e Gjykatës Kushtetuese në zgjidhjen e bllokadës politike, ambasadori shprehu optimizëm të moderuar, por gjithashtu theksoi faktin se nevojitet vullnet politik.

"Mendoj se jemi ende në fazën e shpresës se Gjykata Kushtetuese do ta zgjidhë këtë çështje. Por në fund të fundit, kjo duhet të zgjidhet politikisht me anë të kompromisit midis partive politike. Kjo është rrënja e problemit. Kushtetuta dhe ligji mund të ofrojnë një kornizë, por u takon palëve të bien dakord se si të vazhdojnë", shtoi Jonathan Hargreaves, Ambasadori anglez në Kosovë.

Lidhur me zgjedhjet lokale të planifikuara për 12 tetor, Hargreaves tha se ato përfaqësojnë një shans për të gjitha komunitetet, veçanërisht atë serbe, që të jenë politikisht aktive dhe të përfaqësohen përsëri.

“Është një mundësi për të gjitha komunitetet në Kosovë — përfshirë komunitetet jo-shumicë, dhe veçanërisht komunitetin serb — që të shprehin vullnetin e tyre dhe të përfaqësohen nga parti që vërtet duan të mbrojnë qytetarët”, tha Jonathan Hargreaves, Ambasadori anglez në Kosovë.

Faktori ndërkombëtar është shumë i ndjeshëm ndaj komuniteteve. Shpesh herë, Bashkimi Europian ka mbajtur një qëndrim të njëanshëm kur flitet për komunitetin serb në Kosovë.

Gjatë intervistës përballë gazetarit serb, ai sjell në vëmendje konfliktet e fundit, por edhe gjoja diskriminimet ndaj serbëve në veri, shkruan A2 CNN.

Ambasadori Hargreaves thekson se Lista Serbe është një pjesë legjitime e sistemit politik të Kosovës, duke harruar në të njëjtën kohë përpjekjet bllokuese dhe jolegjitime që ky komunitet ka pasur në raport me zgjedhjet lokale atje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos