Osmani e konfirmon: Trump parandaloi luftën, ngërçi politik po na dëmton rëndë

Nga Rosalba Bejdo
10 Korrik 2025, 20:13 | Politikë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ka informacione të besueshme se presidenti amerikan, Donald Trump, ka parandaluar së fundmi mundësinë e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë. Ajo i bëri komentet gjatë një ligjërate në Uashington, ku, po ashtu, rikujtoi sulmin e shtatorit 2023 në Banjskë, duke e cilësuar atë si një "akt agresioni" nga Beogradi të përgatitur tërësisht brenda Serbisë.

“Ajo që kemi kuptuar bazuar në njoftimet e sigurisë që marr çdo ditë është se Presidenti Trump ka parandaluar një shpërthim të mundshëm të konfliktit, nëse mund ta quaj kështu, kohët e fundit. Pra, nuk po flasim për vitin 2023. Nuk po flasim për vitin 2020.Po flasim për zhvillime që janë të kohëve të fundit. Pra, KFOR-i është atje. Sigurisht, KFOR-i është atje kryesisht për të parandaluar, dhe ata kanë bërë një punë të shkëlqyer në parandalimin dhe ruajtjen e sigurisë”, tha presidentja Osmani.

Në fjalën e saj, presidentja Osmani paralajmëroi se rreziqet nga Serbia janë të vazhdueshme dhe tha se ato nuk duhen nënvlerësuar. Ajo foli mbi rëndësinë e anëtarësimit të shpejtë në NATO, duke thënë se presidenti amerikan Donald Trump dhe Sekretari i Përgjithshëm Mark Rutte mund të bëjnë të mundur.

Osmani u ndal edhe tek kriza politike duke thënë se vendi po humbet shumë nga mungesa e institucioneve, Kanë kaluar disa muaj dhe është shumë frustruese për popullin e Kosovës.

“Ata presin që udhëheqësit të ulen dhe të bien dakord, të bëjnë kompromis dhe të punojnë përmes një demokracie të bazuar në konsensus. Megjithatë, kjo nuk ka ndodhur, dhe ajo që më shqetëson më shumësi presidente , është se po humbasim shumë. Po humbasim  në marrëdhëniet me miqtë dhe partnerët tanë, jo vetëm në aspektin e imazhit, por ka një numër marrëveshjesh ndërkombëtare përmes të cilave mund të marrim kaq shumë mbështetje financiare, por për shkak se nuk kemi parlament, nuk jemi në gjendje ti ratifikojmë ato marrëveshje. Është edhe shumë e rrezikshme, e dini. Për mua, ky është një erozion i demokracisë, të mos kesh një parlament në vend, dhe shumë gjëra të tjera që dëmtojnë interesat e vendit tonë dhe interesat e popullit tonë”, theksoi ajo.

Osmani tha se duke qenë se Gjykata Kushtetuese nuk e ka përcaktuar se çfarë ndodh nëse nuk përmbushet afati prej 30 ditësh për konstituimin e kuvendit, po shqyrtojnë mundësitë ligjore për t’iu drejtuar sërish gjykatës për t’i kërkuar një shpjegim të shpejtë lidhur me këtë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos