Serbia vijon fushatën për të hedhur baltë ndaj Kosovës tek ndërkombëtarët.
Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë Serbe, Petar Petković, bisedoi me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Evropën, Azinë Qendrore dhe Amerikën, Miroslav Jenč, të cilit iu ankua për ato që i quajti lëvizje përshkallëzuese të Prishtinës kundër popullit serb në Kosovë.
Ai theksoi rëndësinë e rolit të Kombeve të Bashkuara dhe respektimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, siç tha, me qëllim ruajtjen e paqes, sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë, shkruan A2.
Petković u ndal veçanërisht tek planet për të ndërtuar dy ura të reja në lumin Ibër, që, siç u shpreh, janë kundër interesave të popullit serb në veri.
Drejtori i Zyrës për Kosovën vijoi më tej me pretendimet e rreme duke thënë se serbët si në jug ashtu edhe në veri të Ibrit përballen me terror institucional dhe fizik nga Prishtina, arrestime arbitrare, gjyqe të inskenuara politike, si dhe mbylljen e institucioneve jetësore.
(A2 Televizion)