Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj dhe Besian Mustafa, kanë dorëzuar sot në Prokurorinë Speciale edhe një kallëzim penal, duke iu bashkangjitur 17 të tjerave për kërkuar hetim për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe ministrat e kabinetit të tij.
Sipas tyre, vazhdimi i punës se tyre si qeveri është jo kushtetuese dhe e jashtëligjshme, duke përmendur edhe vendimin e Gjykatës Supreme lidhur me çështjen e arkave fiskale, e cila dëshmon se një deputet nuk mund të kryej dy pozita.
Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa tha se Kurti me ministrat e tij kanë zaptuar qeverinë duke qëndruar në mënyrë te jashtëligjshme.
Sipas Mustafës, veprimi i tyre, i bie sikur 120 deputet të shkojnë në qeveri dhe të marrin vendime e të shfrytëzojnë buxhetin e shtetit.
Ndërsa, deputeti Alban Zogaj shtoi se çdo vendim qeveritar pas certifikimit të zgjedhjeve është i paligjshëm.
Zogaj, tha se Prokuroria Speciale duhet të marrë masa ndaj tyre dhe në këtë mënyrë do të zhbllokohet situata politike.
"Sot e dorëzuam edhe një dokument shtesë për të kërkuar Prokurorisë Speciale, sepse çdo vendim që është marrë pas certifikimit të zgjedhjeve është vendim i jashtëligjshme", tha Zogaj.
LDK-ja ka dërguar edhe 17 kallëzime penale të tjera që nga muaji maj i këtij viti. Kosovapress (A2 Televizion)