Kriza parlamentare, Limaj për takimin me Kurtin: Duhet marrëveshje 

Nga A2 CNN
15 Korrik 2025, 20:30 | Politikë

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj konfirmoi se kanë rënë dakord me kryeministrin në detyrë Albin Kurti për t’u takuar sërish për të gjetur një zgjidhje për ngërçin.

Ai tha se takimi do të mbahet këtë javë por nuk konfirmoi nëse do të rishikojë kërkesat e tij e që ka të bëjë me postin e kryeparlamentarit.

“Kosova ka votuar për qeverinë, për të pasur një kryeministër dhe qeverinë, është partia e parë që ka marr shumciën e votave dhe ne po duam dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë për ta përmbush vullnetin e shumicës. Duhet marrëveshje për partneritet, pra ose me marrëveshje ose shkon në qeverisje vetë”, tha Fatmir Limaj.

Nga Lëvizja Vetëvendosje, ishte Albulena Haxhiu ajo që konfirmoi se Kurti do të takohet me Limjan por pa dhënë detaje të tjera.

Lidhja Demokratike e Kosovës thekson se problemi është që Kurti nuk dëshiron marrëveshje për postin e kryeparlamentarit.

“Çështja ka të bëjë me emrin e kryetarit të Kuvendit, me pozitën e ofruar ose të mos ofruar për të siguruar votat e mjaftueshme. LVV-ja nuk dëshiron marrëveshje politike, por siç duket dëshiron që me këtë numër të votave të ketë kryetarin e Kuvendit dhe qeverinë e ardhshme”, deklaroi Armend Zemaj.

Limaj tha se përpos Kurtit synon të takojë edhe liderët e partive të tjera në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për situatën me moskonstituuimin e Kuvendit.

“Gjëja e parë elementare është komunikimi dhe bashkëbisedimi mes njerëzve dhe politikanëve për të dal nga kriza. Si të dilet nga kriza nëse nuk bisedohet. Jam i interesuar të bisedojë edhe me liderët e tjerë politikë, të shkëmbejmë mendime, me pa një rrugë si dilet se njëmend u bë e tepërt”, shtoi Limaj.

Nga Partia Demokratike thanë se gjithmonë i janë përgjigjur ftesave për takime, por zgjidhjen mund ta ofrojë vetëm Lëvizja Vetëvendosje.

“Ne mund të takohemi pafundësisht, mirëpo nëse z. Kurti kryeneçësinë, kokëfortësinë dhe diktatin mundohet ta shndërrojë në një instrument legjitim të politik bërjes, atëherë fatkeqësisht takohemi kot”, deklaroi Vlora Çitaku.

Më 28 qershor ishte mbajtur takimi i fundit i Kurtit me të gjithë liderët politikë parlamentarë por pa ndonjë sukses. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos