Rreziku serb për Kosovën, Osmani: Në vendin tim, ndikimi i Rusisë është zero

Nga A2 CNN
15 Korrik 2025, 20:26 | Politikë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka bërë me dije se Serbia është shndërruar në shtet satelit të Rusisë e cila synon të krijojë efekt destabilizues në rajon.

Këto deklarata Osmani i bëri gjatë vizitës së saj në Letoni, që është e para e një presidenti të Kosovës në këtë shtet. 

“Serbia vazhdimisht përpiqet të destabilizojë vendin tonë, përfshirë përmes akteve të agresionit, ndërsa ne vazhdimisht vetëmbrohemi. Në historinë e ekzistencës së shtetit tonë, asnjëherë nuk kemi pushtuar apo sulmuar as edhe një centimetër të territoreve të fqinjëve tanë.

Ajo që kemi bërë gjithmonë - dhe që do të vazhdojmë të bëjmë - është të mbrojmë pavarësinë tonë, integritetin tonë territorial, paqen dhe lirinë që e kemi fituar me shumë sakrifica. Në vendin tim, ndikimi i Rusisë është zero. Fatkeqësisht, nuk mund ta them të njëjtën gjë për vendin fqinj, sepse Serbia është shndërruar në një shtet-satelit të Rusisë, qoftë në aspektin politik, ekonomik apo ushtarak.

Përmes Serbisë, Rusia përpiqet të krijojë një efekt destabilizues zinxhir në rajon, sepse sa më shumë destabilizim në Evropë, aq më shumë i shërben interesave të Rusisë. Kjo është ajo që duan, por ne do të punojmë ngushtë me aleatët tanë në BE dhe NATO, përmes parandalimit dhe zmbrapsjes, për të siguruar që asnjë nga taktikat destabilizuese të Rusisë, të realizuara përmes Serbisë, të mos ketë sukses”, tha Osmani. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos