LDK refuzoi, po tani? Analistët: Kurti do ftojë të tjerët, të shmangen zgjedhjet

Nga A2 CNN
8 Prill 2025, 20:11 | Politikë

Ftesa e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për Lidhjen Demokratike të Kosovës për një koalicion të mundshëm qeverisës vlerësohet e pasinqertë pas akuzave të rënda në drejtim të partive opozitave.

Njohës të zhvillimeve politike në Prishtinë thonë se Kurti tashmë e ka kuptuar se nuk i ka numrat për qeverinë e re.

“Vet letra që ka dërguar kryeministri Kurti vjen pas dështimit të tij për të siguruar votat e minoriteteve dhe duket që nuk i ka numrat e mjaftueshëm për ta bërë qeverinë kështu që si alternativë i ka dërguar letrën LDK që mendoj që është krejtësisht e pasinqertë sepse deklaratat e tij pas zgjedhjeve ishin shumë ofenduese për partitë në opozitë”, shprehet Alma Lama.

Kurti ktheu kokën nga Abidixhiku pasi për analistët minoritetet joserbe dhe Nisma patën kërkesa të larta.

“Pakicat dhe Nisma i kanë rritur ose maksimizuar kërkesat gjë që ka bërë të pamundur për Lëvizjen Vetëvendosje koalicionin sepse i ka ra që duhet ta ndajë gjysmën e pushtetit, ta hup kryetarin e Kuvendit dhe njëfarë forme të mos ta ketë të sigurtë qeverinë më shumë se një vit”, shprehet Arbnor Sadiku.

Pas refuzimit të Lidhjes Demokratike për një takim, besohet se Vetëvendosje do të tentojë të takohet edhe me Partinë Demokratike që u radhit e dyta në zgjedhje.

Në lidhje me kushtet që janë kryesisht për pozitën e kryeministrit, kërkohet që çdo koalicion të ngrihet mbi parime dhe ndarja e pushtetit të bëhet sipas numrave në Kuvend.

“Do të duhet të zgjidhen disa gjëra parimore që pastaj kur të vijë puna të vazhdimi i koalicionit të mos ketë probleme, pastaj ndarja e tortës qeveritare bëhet në bazë sipas fuqisë politike”, shtoi Sadiku.

Megjithatë partive iu kërkohet që të shmangin zgjedhjet e reja pas zhvillimeve që po ndodhin në të gjithë botën. 

“Zgjedhjet e jashtëzakonshme sërish nuk janë në të mirën e Kosovës, duhet të gjendet një formulë qeverisë sepse situatat dhe dinamikat gjeopolitike janë shumë të disfavorshme dhe Kosovës i duhet një qeveri me një legjitimitet të plotë dhe që të ndërtojë një strategji së paku për politikën e jashtme”, deklaroi ish-ambasadorja Lama.

Lëvizja Vetëvendosje do të ketë mundësinë e saj si e para për të ngritur Qeverinë e re, nëse dështon, atëherë do t’i jepet mundësia Partisë Demokratike të Kosovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos