Partia Demokratike e Kosovës konfirmoi të martën se po presin radhën për të formuar ata Qeverinë e re.
Kandidati i kësaj partie për kryeministër, Bedri Hamza, ka pasur disa takime me Lidhjen Demokratike dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës në përpjekje për t’i bindur për një koalicion të bllokut opozitar.
“Unë e kam bindjen që në qoftë se ka një paaftësi të partisë së parë [Vetëvendosje] për të realizuar qeverinë, Bedri Hamza është një person mjaft i aftë për të ndërtuar një koalicion i cili e ka në fokus atë që e ka premtuar, zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e mirëqenies qytetare”, tha Uran Ismaili, nënkryetar i PDK.
Nga Vetëvendosje thanë se Qeveria e re do të bëhet nga ta, ndryshe vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, shkruan A2 CNN.
“Nuk mendoj që mundet opozita ta bëjë qeverinë si e vetme, prandaj duke qenë kështu, o e bëjmë qeverinë ne, o shkojmë në zgjedhje dhe ne jemi të interesuar që ta bëjmë qeverinë dhe unë jam e bindur që qeveria do të bëhet”, u shpreh Albulena Haxhiu.
Vetëvendosje pranoi se mund të ketë edhe ftesa të tjera për partitë në rast se nuk ka ndonjë dakordim me Lidhjen Demokratike.
“Deri në seancën konstituive janë edhe shtatë ditë, pra deri më 15 prill, natyrisht që nuk e përjashtoj mundësinë që brenda këtyre 7 ditëve do të ketë veprime të tjera, do të ketë përpjekje të tjera për takime”, tha Haxhiu.
PDK nuk ka pranuar ftesë nga Kurti dhe nuk u përgjigjën nëse do të shkojnë në takim në rast të një ftese të mundshme.
Por premtuan trasparencë gjatë bisedimeve më partitë e opozitës kur t’iu vijë radha për koalicion.
“Atë të drejtë me transparencë jashtëzakonisht të madhe do ta paraqesim para publikut çka jonë kushtet tona, çka jonë veprimet tona, cili o programi ynë sepse këtu njerëzit po folin për qeveri vetëm në kuptimin funskional le të formohet qeveria, çka i sjell ajo qeveri qytetarëve”, tha Ismaili.
Partia Demokratike është konfirmuar si forca e dytë më e madhe pas Vetëvendosjes, por në planet e saj për një Qeveri pa Kurtin vetëm Aleanca e Ramush Haradinajt i ka dhënë një “po” të qartë. (A2 Televizion)