
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Kreshnik Radoniqi, njoftoi se procesi i votimit ka përfunduar në orën 19:00. “Nga raportimet që kemi pranuar gjatë gjithë ditës nga komunat ku është zhvilluar procesi zgjedhor, vlerësojmë se votimi është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe deri në mbylljen e vendvotimeve nuk janë raportuar raste apo ngjarje që do të mund të vinin në dyshim besueshmërinë, integritetin apo ecurinë e përgjithshme të procesit zgjedhor”, tha ai, përcjell A2 CNN.
Në emër të KQZ-së, ai falënderoi institucionet për angazhimin e tyre në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. “Duke u mbështetur në të dhënat preliminare që kemi pranuar nga rreth 99% e Vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 19:00 është 429 mijë e 736 votues apo 32.64%, nga 1 milionë e 316 mijë e 672 votues. Deri në të njëjtën kohë, në raundin e parë, në këto 18 komuna, kishin votuar 38.91% apo 512 mijë e 160 votues nga 1 milion e 316 mijë e 129 votues. Aktualisht në vendvotime është duke u bërë numërimi i fletëvotimeve dhe në disa prej tyre veç ka përfunduar ky proces, andaj në platformën e KQZ-së tani do të fillojë publikimi i rezultateve preliminare. Numërimi është një hap kyç në përmbylljen e ditës së zgjedhjeve dhe zhvillohet sipas procedurave të përcaktuara me ligj dhe rregulloret e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, shtoi ai.
Radoniqi i bëri thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve që të veprojnë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe paanshmëri, duke respektuar në përpikëri të gjitha procedurat ligjore dhe rregullat zgjedhore, në mënyrë që vullneti i qytetarëve të garantohet dhe të mbrohet plotësisht. (A2 Televizion)
