Pritje tepër të ngrohtë i rezervoi kryediplomatit britanik. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bisedoi me sekretarin e Mbretërisë së Bashkuara për punët e jashtme, David Lammy, për një sërë çështjesh, por me fokus të veçantë tek siguria dhe dialogu Prishtinë-Beograd. Pasi shkëmbyen mendimet, dolën në konferencë të përbashkët për të dhënë detaje. Presidentja Osmani konfirmoi se po formulohet një marrëveshje për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të ekonomisë.
“Ndërsa të dyja vendet tona janë angazhuar për të rritur shpenzimet e mbrojtjes, ka shumë që mund të bëjmë së bashku gjatë kësaj periudhe. Synimi i Tony Blair ishte që Kosova të ishte në gjendje të formësonte të ardhmen e saj, të bashkëjetonte në mënyrë paqësore me fqinjët e saj dhe të mbronte diversitetin e qytetarëve të saj. Dhe sot i jam përkushtuar të njëjtit qëllim. Dhe kjo është arsyeja pse Presidentja dhe unë kemi diskutuar të punojmë në një marrëdhënie më të thellë, më të strukturuar, mes nesh në muajt në vijim”, theksoi sekretari i Jashtëm i Britanisë.
Sa i përket dialogut, ministri britanik kishte një porosi për qeverinë e re, ndërsa presidentja Osmani tregoi fytyrën e vërtetë të Serbisë, që nuk kërkon normalizim, por e pengon atë.
“Unë e mirëpres përparimin e madh që keni bërë në shkurt dhe shpresoj që këtu në Kosovë të angazhohemi për të ndërtuar një qeveri të re, e cila është e rëndësishme në këto momente të vështira. Pra, nuk jam kthyer vetëm si mik, por jam kthyer me një ndjenjë shumë të fortë se Mbretëria e Bashkuar vazhdon të luajë rolin e saj të rëndësishëm si partner dhe mik i ngushtë i këtij vendi. Ka gjëra që duam t’i shohim teksa ky partneritet zhvillohet. Ne duam normalizim të plotë për ju këtu në Kosovë, por edhe ndërmjet Kosovës dhe sigurisht, Serbisë. Mbretëria e Bashkuar ka një interes të theksuar për KFOR-in. E kam parë KFOR-in herën e fundit që isha këtu. Do ta shoh përsëri dhe është jashtëzakonisht i rëndësishëm për sigurinë tuaj”, tha David Lammy, Sekretar i Jashtëm i Britanisë
Ministri prezantoi dhe të dërguarën e re të posaçme për Ballkanin Perëndimor të Britanisë së Madhe, Karen Pierce, ish ambasadore në SHBA. Gjithashtu u shpreh i kënaqur që Londra do të organizojë Procesin e Berlinit këtë vit, ndërsa shprehu mbështetjen e madhe që Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës dhe institucione të tjera ndërkombëtare. Gjatë qëndrimit në Kosovë, Lammy është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti. Shefi i qeverisë në detyrë është ankuar për faktin se Serbia po pengon drejtësinë për rastin e sulmit terrorist në Banjskë duke mbrojtur organizatorin Milan Radoiçiç. (A2 Televizion)