Miratohet fletëvotimi, debati për Listën Serbe, subjektet nuk marrin paratë nga KQZ

Nga Ideal Gola
8 Janar 2025, 20:06 | Politikë

Lista Serbe u bë arsye që edhe 13 subjekte të tjera politike nuk përfituan mjetet nga Fondi për mbështetjen e partive që kanë ulëse në Kuvendin e Kosovës për periudhën janar dhe shkurt të këtij viti.

Të mërkurën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte në rend dite shpërndarjen e mbi 726 mijë eurove për 14subjekte politike të cilat në fund nuk kaluan pasi edhe përfaqësuesit e partive opozitare PDK, LDK e AAK nuk morën pjesë në votim.

Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje kërkuan që votimi për ndarjen e mejteve të bëhet veçmas për secilin parti.

“Rekomandimi apo miratimi të jetë i veçantë për secilin subjekt politik dhe jo në tërësi sepse secili e ka shumën e caktuar dhe ne t’i votojmë secilin veç e veç”, tha anëtari i LVV në KQZ, Alban Krasniqi.

Megjithatë rekomandimi ishte që miratimi të bëhet në grup për të gjitha subjektet politike.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas çdo zgjedhje parlamentare kur e bën certifikimin e rezultatit zgjedhor e bën për të gjitha subjektet politike dhe në bazë të certifikimit të KQZ-së ato marrin ulëse në Kuvendin e Kosovës dhe meqë e kam gjetur si praktikë e kemi vazhduar me praktikën e njëjtë”, tha Besnik Buzhala, drejtor i zyrës së RCKFSP.

Në bazë të ndarjes, për dy muajt e parë të vitit Lista Serbe do të përfitonte rreth 55 mijë euro. Më së shumti do të përfitonte Lëvizja Vetëvendosje me rreth 354 mijë euro, pasuar nga PDK me rreth 116 mijë euro, LDK mbi 91 mijë euro, AAK me rreth49 mijë euro e të tjera.

“Unë jam kundër ndarjes se mjeteve për Listën Serbe ashtu qysh e kam arsyetu edhe herave të tjerë, argumentet i kam dhënë, dëshmitë i kam ofruar, nuk ka ndryshuar asgjë në trashëgiminë dhe të tashmen e këtij subjekti politik prandaj unë jam kundër”, tha anëtari i LVV në KQZ, Sami Kurteshi.

Rekomandimi i Lëvizjes Vetëvendosje për të votuar për secilin subjekt politik nuk kaloi, ashtu sikurse nuk kaloi as propozimi i Zyrës për Certifikim që të kalojë në grup.

Lëvizja Vetëvendosje abstenoi edhe në pikën kur u caktua për numrin e anëtarëve në Këshillat e Vendvotimit pasi kërkoi që të pritet vendimi i PZAP për ankesën ndaj vendimit të KQZ-së që Lista Serbe të certifikohet për zgjedhjet e 9 shkurtit. Për të njëjtën arsye, LVV votoi kundër edhe dizajnit të fletëvotimit që do të jetë në ditën e zgjedhjeve.

Mirëpo pavarësisht kundërshtimit të këtyre dy pikave, të dyja kaluan me votat e anëtarëve të tjerë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos