Nderohet Bujar Bukoshi, Kurti: Ishte mbështetës dhe kritik i rezistencës

Nga A2 CNN
12 Qershor 2025, 14:56 | Politikë

Ish-Kryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi është përkujtuar në 26-vjetorin e çlirimit të Kosovës nga Serbia. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha në mbledhjen komemorative për ish-kryeministrin e vendit, Bujar Bukoshi, i cili vdiq të martën, se ai ishte “i guximshëm në çdo situatë”. Para familjarëve të Bukoshit dhe të ftuarve të tjerëve, Kurti bëri një ekspoze të jetës së ish-kryeministrit të Kosovës.

“Bujar Bukoshi ishte kryeministri i parë dhe i fundit i Republikës së parë të Kosovës. Ai pati një angazhim të madh për t’i njohur kancelaritë evropiane dhe amerikane me shtypjen politike dhe shkeljet e ashpra të të drejtave të njeriut. Ndërsa qëndronte në Gjermani Bukoshi takonte përfaqësues të ndryshëm politikë “vetëm për ta shtyrë përpara çështjen e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar”, tha Kurti, shkruan A2 CNN.  Komunikimi i tij me diplomatët e gazetarët gjermanë, Kurti tha se ishte “shembull”.

Sipas Kurtit, Bukoshi ishte mbështetës i rezistencës paqësore por me raste edhe kritik i saj. “Bujar Bukoshi ishte mbështetës i rezistencës paqësore, por me raste edhe kritik i saj. Siç ishte edhe mbështetës i kryengritjes së armatosur, por nganjëherë, gjithashtu edhe kritik i saj. Ai ishte i guximshëm në çdo situatë. Kurajoz në politikbërje, realist në qëndrime dhe adhurues i veprimeve”, tha ai.

Kurti kujtoi se Bukoshi ishte ndër protagonistët kryesorë të zhvillimeve politike e historike të viteve të ’90-ta, për të cilin tha se “historianët do të gjurmojnë dhe studiojnë”. “Teksa vitet kalojnë, ne fitojmë pozicione pikëpamjesh të reja për zhvillimet e mëhershme politike dhe historike edhe të viteve të ’90-ta, kur Bukoshi ishte ndër protagonistët kryesorë. Ndër rrjedhën e pandërprerë të kohës, historianët do të gjurmojnë dhe studiojnë angazhimin dhe veprimtarinë e Bujar Bukoshit kur do të shkruajnë historinë moderne politike të Kosovës. E në të emri i tij do të jetë natyrshëm ndër më të përmendurit, më të spikaturit për veprën e tij që duhet vendosur saktë në kontekstin e kohës dhe interpretuar nga rrethanat e asaj periudhe”, tha ai.

Në fund Kurti uroi që në të ardhmen të vijë një biografi për jetën dhe veprën e Bukoshit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos