Kuvendi i Kosovës vijon të mbetet i pakonstituuar pavarësisht seancave çdo 48 orë.
Partitë nuk kanë ndryshuar qëndrime dhe përpjekja për të votuar në mënyrë të fshehtë për kryeparlamentarin po kundërshtohet nga të gjitha partitë e mëdha përpos Vetëvendosjes.
“Të njëjtit që kanë pasur votë për 'Zajednicën', nuk kanë për Albulenën [Haxhiun], sikur ta kishin zellin që ta kundërshtojnë ‘Zajednicën’ e Gjykatën Speciale qysh e kanë për Albulenën, unë mendoj që Kosova do të ishte shumë më mirë sot”, tha Dimal Basha nga VV.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pas konsultimit me përfaqësuesit partiakë, vendosi që seancën e radhës të thërrasë për të enjten në mënyrë që të shmanget vazhdimi në ditë Bajrami.
“Dështuam sërish të konstituojmë institucionet, vendi është në krizë, ekonomia është në krizë, është momenti të mendojmë për qytetarin më shumë se për vetveten. Sot pati përpjekje dhe fatkeqësisht u kurdis seanca për të akomoduar nevojat e deputetëve e nuk po arrijmë që të bëjmë marrëveshje për të mirën e qytetarit”, deklaroi Vlora Çitaku.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës iu përgjigj edhe deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që akuzoi partitë e tjera se nuk po duan një grua në krye të Kuvendit.
“Kryeministri në detyrë po thotë dhe po na akuzon që po bëhemi të prapambetur, duke mos e votuar një grua e cila është propozuar, por në të kundërtën ne si Aleancë kemi propozuar dy gra që janë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kemi thënë që pa asnjë kusht do t'i votojmë”, shtroi Kadrijaj.
Nisma Socialdemokrate tha se përgjegjësitë për zhbllokimin e ngërçit i adresohen secili subjekt në bazë të fuqisë politike.
“Nisma është e gatshme për të dhënë kontributin e vet dhe të jetë e përgjegjshme, të ofrojë zgjidhje mbi bazën e fuqisë politike dhe mundësisë tonë politike, secili subjekt merr përgjegjësinë e vet, ne si parti politike jemi pozicionuar kemi dëshirë që të ofrojmë zgjidhje duke parë nevojën që të kalohet kjo krizë”, u shpreh Limaj.
Në një kohë kur duket se nuk ka ndonjë zgjidhje për funksionalizimin e Kuvendit të Kosovës, deputeti i Vetëvendosjes, Agim Bahtiri propozoi një kurban për të sjellë mbarësi.
(A2 Televizion)
Një kurban për Kuvendin! Vijojnë dështimet dhe akuzat për moskonstituuim
