Deklaratat e kryeministrit Albin Kurti se nuk do të ketë koalicione paszgjedhore me tri partitë më të madhe si PDK, LDK dhe AAK shihet si përpjekje për të mobilizuar elektoratin një muaj para zgjedhjeve.
Kurti, si arsye për mosbashkëpunim me partitë opozitare, përmendi faktin se ato nuk janë reformuar në katër vite dhe e kanë sulmuar shumë në muajt e fundit. Për njohësit e proceseve politike në Prishtinë, Qeveria e ardhshme do të ketë nevojë për një koalicion për të pasur shumicën në Kuvend e rrjedhimisht për të formuar kabinetin e ri qeveritar.
Madje, edhe objektivi i Kurtit për të marr 500 mijë vota duket i paarritshëm.
“Qeveri pa koalicione nuk do të ketë sepse thjesht është e pamundur që cilado nga partitë të fitojë mbi 50%, as Vetëvendosje që supozoj do të dal e para, megjithatë dyshoj që do të fitojë siç fitoi në zgjedhjet e kaluara prandaj koalicionet do të jenë të domosdoshme”, tha për A2 CNN, politologu Melazim Koci.
“E shoh deklaratën e kryeministrit si një thirrje për një vetëbesim brenda vetë strukturës së VV-së për të mobilizuar elektoratin e vet për të marr votë më shumë por nuk është se do të mund ta bëjë qeverinë asnjë subjekt politik papasur nevojë për një subjekt tjetër politik”, u shpreh analisti Shemsi Jashari.
Rezultatet e mundshme të zgjedhjeve që mund të imponojnë një koalicion mund ta çojnë vendin drejt një të ardhme të paqartë për shkak të bindjeve të partive për “vijat e kuqe” për koalicione.
“E shoh si periudhë të vështirë paszgjedhore krijimin e një koalicioni sepse kontradiktat janë shumë të mëdha , është evidente që partitë opozitare nuk kanë prirje për të hyrë në koalicion me z. Kurti edhe kur njëra prej tyre pajtohet e kushtëzon këtë me postin e kryeministrit”, shtoi Koci.
Për analistët, partitë opozitare PDK,LDK dhe AAK do të bëjnë përpjekje që të sigurojnë votat e mjaftueshme që të qeverisin së bashku duke lënë në opozitë Vetëvendosjen.
“Partitë opozitare do tentojnë në maksimum ta shmangin Lëvizjen Vetëvendosje nga përfshirja në qeverisje e që do të jetë e njëjta edhe tendenca e Lëvizjes Vetëvendosje për t’i përjashtuar të tjerat nga pjesëmarrja në qeverisje, përjashto këtu Listën Serbe me ata numrat e rezervuar”, nënvizoi Shemsi Jashari.
Lëvizja Vetëvendosje garon në zgjedhjet e 9 shkurtit në një listë të përbashkët me Listën Guxo të ish-presidentes Vjosa Osmani si dhe me partinë Alternativa. Në vitin 2021 ata morën rreth 438 mijë vota, ose mbi 50%, një rezultat që nuk ishte siguruar nga asnjë parti më parë në Kosovë. (A2 Televizion)