Pas refuzimit për koalicion, LDK padit Kurtin dhe ministrat për keqpërdorim

Nga A2 CNN
8 Maj 2025, 20:54 | Politikë

Pak ditë pasi e refuzuan të bëjnë një koalicion qeverisës, Lidhja Demokratike të enjten dorëzoi kallëzim penal ndal kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe ministrave të tij të cilët janë zgjedhur deputetë.

Sipas, LDK-së, Kurti dhe 16 anëtarët e kabinetit qeveritar janë duke shkelur nenin 26 të Ligjit për Qeverinë që nga data 27 mars kur janë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve dhe po konsumojnë vepër penale si “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” të sanksionuar në Kodin Penal.

Neni 26 i Ligjit për Qeverinë thotë se nëse anëtari i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet, i njëjti duhet të jap dorëheqje nga posti i anëtarit të Qeverisë para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

“Duke qenë se prej datës së certifikimit edhe sot vazhdojnë të qëndrojnë në zyrat e ministrive duke shfrytëzuar resurset, duke marr vendimet të cilat kanë pasoja financiare dhe pasoja të tjera dhe duke shfrytëzuar resurset e institucioneve të Republikës së Kosovës, këta deputetë kanë konsumuar vepër penale”, shprehet Hykmete Bajrami.

Më herët, Kurti pati deklaruar se kabineti aktual është në një rol kujdestar, për të garantuar vazhdimësinë, sigurinë dhe funksionimin e pandërprerë të shtetit, në zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës. 

Çdo veprim ndryshe, sipas Kurtit, do të ishte braktisje e institucionit, do të krijonte vakum institucional, papërgjegjësi politike dhe rrezikim të sigurisë kombëtare. 

Por për këtë nuk pajtohet Lidhja Demokratike. 

“Vendi nuk do të mbetej pa qeveri sepse ka qenë opsioni që ministrat në qoftë se kanë dashur të vazhojnë punën e ministrave të kërkojnë të mos certifikohen, ose mos të betohen, dhe tjera thjesht kanë pasur mundësi që të delegojnë detyrën tek zëvendësit e tyre sepse ju e dini që qeveria në detyrë dhe qeveria në dorëheqje sipas Ligjit mbi qeverinë i ka kompetencat tejet të kufizuara”, shton Bajrami.

Qeveria aktuale është në detyrë që nga data 23 mars kur edhe e ka përmbushur mandatin e rregullt dhe të plotë katërvjeçar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos