PDK e zhgënjyer me vendimin e PZAP-së: Drejtësi për votën në Mitrovicë në Gjykatën Supreme

Nga A2 CNN
14 Nëntor 2025, 19:39 | Politikë

PDK e zhgënjyer me vendimin e PZAP-së: Drejtësi për

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas vendimit të PZAP-së, që refuzoi ankesën e saj për parregullsitë në zgjedhjet në Mitrovicën e Jugut. PDK shpreh zhgënjimin e saj për këtë vendim, duke e cilësuar të padrejtë dhe të shkëputur nga realiteti i procesit zgjedhor.

Sipas PDK-së, janë paraqitur prova të mjaftueshme që dëshmojnë cenimin e votës dhe mospërputhjen me standardet demokratike.

“Partia Demokratike e Kosovës shpreh zhgënjimin e saj të thellë me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili sot ka refuzuar ankesën tonë lidhur me parregullsitë e evidentuara në procesin zgjedhor në Mitrovicën e Jugut. Ne e konsiderojmë këtë vendim të padrejtë dhe të pambështetur në realitetin e asaj që ka ndodhur në Mitrovicë. PDK ka paraqitur fakte, dëshmi dhe situata të dokumentuara që tregojnë qartë se procesi zgjedhor është cenuar dhe se vullneti i qytetarëve nuk është respektuar në mënyrën siç e kërkon ligji dhe standardet demokratike”, thuhet në reagimin e PDK-së.

PDK njoftoi se do të ndjekë të gjitha hapat ligjorë, duke paralajmëruar ankesë në Gjykatën Supreme, instanca e fundit për garantimin e drejtësisë zgjedhore. Partia thekson se mbetet e vendosur të mbrojë votën e lirë dhe vullnetin e qytetarëve të Mitrovicës së Jugut.

“Partia Demokratike e Kosovës nuk do të ndalet. Ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat ligjorë që garanton Republika e Kosovës. Hapi ynë i radhës është paraqitja e ankesës në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës, e cila është instanca përfundimtare dhe vendimtare për të garantuar drejtësi dhe integritet të procesit zgjedhor.

PDK është dhe mbetet në mbrojtje të votës së lirë, të drejtë dhe të pastër të qytetarëve. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa respektimin e ligjit dhe të vullnetit të shprehur të qytetarëve të Mitrovicës. Drejtësia do të vijë. Ne do të vazhdojmë deri në fund”, thuhet në njoftim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos