Kryeministri i Kosovës Albin Kurti zhvilloi një takim, me kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, njëherazi kryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut Bedri Hamza. Takimi u zhvillua në zyrën e Hamzës në Mitrovicë, ku Kurti qëndroi ketë të hënë për një vizitë. Takimi mes të dyve u komentua si përpjekje drejt zbutjes së tensioneve politike dhe funksionalizimit të institucioneve.
Pas bisedimeve, as Kurti e as Hamza nuk dhanë deklarata për shtyp, por në një reagim zëdhënësi i qeverisë në detyrë Përparim Kryeziu tha se qëllimi i vizitës ishte diskutimi mbi punën e komunave dhe bashkëpunimi me qeverinë. Kurti u takua sot edhe me kryetarin e Mitrovicës së Veriut Erden Atiq.
Gjatë vizitës së tij në veri, ku shoqërohej nga Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla dhe ai i Administrimit të Pushtetit Lokal, Kurti përuroi edhe një stacion të ri policor në Izvor, dy kilometra larg kufirit me Serbinë. (A2 Televizion)
