“Puna e pakontrolluar e Richard Grenell, emisarit për misione speciale të presidentit Trump, po dëmton negociatat diplomatike të Shteteve të Bashkuara dhe kërcënon sigurinë kombëtare”. Kështu shkruan media The Hill duke cituar disa kritikë të punës së Grenell, i cili ka shkaktuar tensione brenda Departamentit Amerikan të Shtetit. Përplasja më e fundit brenda qeverisë së SHBA-ve ka të bëjë me përpjekjet për të liruar disa të burgosur amerikanë që mbahen në Venezuelë, të cilat dështuan pasi Grenell dhe sekretari i shtetit, Marco Rubio, po negocionin marrëveshje të ndryshme, sipas asaj që shkruan New York Times.
Njëri kishte premtuar lehtësi në eksportimin e naftës, ndërsa kreu i Departamentit të Shtetit e kishte eliminuar si mundësi. The Hill shkruan se Grenell është një karakter i fortë në botën Trump dhe zotëron shumë mbështetje, ndërsa kritikët ia dolën që ta mbanin atë larg nga postet e rëndësishme si Sekretar Shteti apo këshilltar i sigurisë kombëtare. Shtëpia e Bardhë ka sqaruar se brenda administratës nuk ka përçarje dhe se presidenti është ai që merr vendimet në fund, shkruan A2 CNN.
“Emërimi i Grenell si i dërguar special nuk kërkonte konfirmim nga Senati. New York Times raportoi në dhjetor se, ndërsa Grenell po ndiqte pozicionin e sekretarit të shtetit ose të një roli të nivelit të lartë në inteligjencë, seancat dëgjimore të konfirmimit do të kishin detyruar shqyrtimin e rolit të tij të komunikimit në emër të klientëve të huaj, përfshirë Hungarinë, Kongon, Kenian dhe Iranin”, Media The Hill.
Media amerikane nuk përmend dhe dyshimet për lobim në Uashington për shtetin e Serbisë. Elliot Abrams, që ka shërbyer si emisar special në administratën e parë të presidentit Trump, thotë se ka shumë tension mes Grenell dhe Departamentit të Shtetit, për shkak se ai ka dorë të lirë. “Punët e jashtme duhet të mbeten në dorën e Departamentit të Shtetit”, rekomandon ish zyrtari. Një burim tjetër thotë për median amerikane, se Grenell është në kërkim të një pune. Kurse, Michael Rubi, një ekspert në Uashington kërkon që sekretari Rubio të ushtrojë më shumë autoritet për ta mbajtur emisarin në linjë me politikat e jashtme amerikane.
(A2 Televizion)