Pse nuk u certifikua Lista Serbe? Eksperti: Vendim pa bazë ligjore, do të përmbyset

Nga Rosalba Bejdo
24 Dhjetor 2024, 20:04 | Politikë

Vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor për të mos certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit dikush po e konsideron si pa bazë ligjore, ndërsa të tjerë thonë se KQZ-ja është organ i pavarur e kolegjial dhe vendimin e ka marrë në bazë të vlerësimeve dhe provave.  Megjithatë, sipas monitoruesve të proceseve zgjedhore, ky subjekt politik do të certifikohet pas ankesës në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Në këtë institucion konfirmuan për Kosova Press ankesën e Listës Serbe, derisa thanë se brenda afatit ligjor do të vendosin për këtë rast. Studiuesi në Institutin Demokratik të Kosovës, Eugen Cakolli thotë për Kosova Press se iniciativa për ta bllokuar certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit do të dështojë.

“Vendimi i djeshëm i KQZ-së për të mos e certifikuar Listën Serbe për të marrë pjesë në zgjedhje është një vendim i motivuar politikisht dhe pa bazë ligjore. Meqenëse në bazë të rekomandimit që vet Zyra për regjistrimin dhe certifikimin e partive politike ka rekomanduar që Lista Serbe të certifikohet për shkak se i ka plotësuar të gjitha kriteret minimale ligjore siç parashihen me ligj dhe rregulloret e KQZ-së. Rrjedhimisht diskutimet e anëtarëve të KQZ-së për shkak të deklarimeve të zyrtarëve të Listës Serbe dhe në anën tjetër për shkak të verifikimit nga MPB-ja dhe MPJ-ja janë të paqëndrueshme, pasi në radhë të parë deklarimet publike nuk përbëjnë bazë për mos certifikim të subjekteve politike, për sa kohë të njëjtat plotësojnë kriteret ligjore”, thekson Cakolli.

Mirëpo, ish kryetari i KQZ-së, Mazllum Baraliu thotë për KosovaPress se KQZ-ja është organ i pavarur e kolegjial dhe në bazë të vlerësimeve dhe provave ka marrë vendim për mos certifikimin e Listës Serbe për pjesëmarrjen në zgjedhjet e 9 shkurtit. Sipas Baraliut, reagimet e vendeve të QUNIT-it për këtë vendim janë panevojshme dhe ndërhyrje direkte në punën e KQZ-së.

“Pa marrë parasysh rekomandimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme apo Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komisioni Qendror i Zgjedhjet është organ i pavarur kushtetues. Ai ka të drejtë që të bëjë vlerësimet, t’i analizojë provat dhe dëshmitë për përshtatshmërinë apo jo të certifikimet të një subjekti politik në bazë të qëndrimeve apo votave të veta. Ai ka vendosur dje dhe tani nuk është përmbyllur procedura, jemi tek në fillim të saj. Ka vendosur një organ i shkallës së parë dhe tani pala e pakënaqur ka të drejtë që në procedurën administrative në PZAP, përsëri organ i pavarur, që vendimet e të cilët KQZ-ja duhet t’i zbatojë nëse vendosë ndryshe. Ky organ vendosë në shkallën e dytë, pastaj ka edhe institucione të tjera ankimore si në Gjykatën Supreme që mund të vendoset eventualisht, ndryshe ose njëjtë sikur në shkallën e parë. Prandaj kjo bujë dhe trumpeta janë të panevojshme. Kjo është pengesë e institucioneve tona të pavarura”, thekson Baraliu.

Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë dhe gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar. Kjo parti kishte deklaruar se do të merrte pjesë në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt – të parat zgjedhje të rregullta në Kosovë që prej shpalljes së pavarësisë më 2008.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos