Politika në Prishtinë druan se Qeveria e re e Serbisë nuk është e interesuar të ketë normalizim të raporteve me Kosovën. Nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, thonë se me të sanksionuarit e Amerikës, Serbia e dëshmoi orientimin e saj të vërtetë e që është pro-rus.
“Nuk janë individë të cilët mund të kontribuojnë në përmirësimin e relacioneve mes shteteve të Ballkanit Perëndimor e në rastin konkret në mes relacioneve që Kosova përmes procesit dialogues me Bashkimin Evropian është duke tentuar të ketë të normalizuara me Republikën e Serbisë. Mendoj që me këtë përbërje të kabinetit qeveritar Republika e Serbisë ka treguar dhe njëherë qartazi orientimin e saj të vërtetë, i cili nuk është orientim pro-evropian”, tha Driton Hiseni deputet i LVV.
Edhe nga partitë opozitare thonë se mendësia e Qeverisë serbe shuan edhe ato pak shpresa për normalizim raportesh.
“Me këtë mendësi të Serbisë, me këtë mendësi që nuk e njeh realitetin e ri të krijuar në Kosovë dhe me këtë mendësi që çdo herë tenton që ta aneksojë një pjesë të Kosovës, mendoj që larg jemi normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh Pal Lekaj deputet i AAK.
Opozita i kërkon Qeverisë që të bashkëpunojë ngushtë me shtetet aleate për të parandaluar çdo dëm që mund t’i shkaktohet Kosovës në integrimin në strukturat euroatlantike. (A2 Televizion)