Qytetarë hyjnë në kazerma. Nga UÇK te FSK, emocione e krenari në Ditën e Forcës

Nga A2 CNN
27 Nëntor 2024, 20:15 | Politikë

Mijëra qytetarë dhe nxënës vizituan të mërkurën kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Prishtinë, Mitrovicë, Istog, Gjilan, Prizren, Ferizaj dhe Pomozatin për të shënuar Ditën e Forcës.

Dita e Forcës shënohet tradicionalisht çdo 27 nëntor, në këtë ditë hapen e dyert e kazermave të Forcës së Sigurisë së Kosovës në të gjithë vendin. Në këtë ditë qytetarët kanë mundësi të shohin nga afër ushtarët, por edhe kapacitetet e Forcës. 

Qytetarët patën mundësi të ndjekin demonstrime të ndryshme dhe të marrin pjesë edhe në aktivitete që tregojnë fuqinë dhe gatishmërinë e FSK-së. Ceremonia qendrore u zhvillua në kazermën "Adem Jashari" në Prishtinë, ku u shfaq flota e automjeteve, armët e municioni që posedon Forca e Sigurisë së Kosovës. 

Fëmijët që kishin ardhur në mënyrë të organizuar me flamuj kombëtarë e me veshje ushtarake apo kuqezi, ishin më të lumturit e më të zëshmit në Ditën e Forcës. 

Të emocionuar u panë edhe qytetarë më të moshuar që thanë se ndihen të sigurtë me Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Për të ndjekur nga afër potencialin e Forcës, në kazermën “Adem Jashari” ishte edhe kryeministri Albin Kurti, që ishte i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari. Para mediave, Kurti tha se në krahasim me vitin 2021 ka dyfishim të numrit të ushtarëve, trefishim të buxhetit për mbrojtje, katërfishim të trajnimeve jashtë vendit për ushatarakët e FSK-së si dhe shumëfishim të investimit në armatim e municion. 

“Armatimi dhe municioni që e shihni në ushtrinë tonë sot, është blerë në vende që janë anëtarë të NATO-s e këtu duhet theksuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqinë, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Kroacinë. Ka edhe shtete të tjera, por këto janë kryesoret. Shumica dërrmuese është blerje nga buxheti i Kosovës e pjesërisht edhe donacion i këtyre vendeve mike, partnere dhe aleate”, deklaroi Kurti. 

Ministri Maqedonci tha se në vazhdimësi po angazhohen për forcimin dhe mbrojtjen e Republikës së Kosovës: “Sot është një ditë e veçantë për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Shënimi i 27 nëntorit si Dita e Forcës është bërë tashmë traditë dhe kjo traditë përkon me aktivitete të mëhershme dhe me trashëgiminë që ne kemi nga lufta çlirimtare, por edhe zhvillimet që kemi si ushtri ndër etapa”. 

Gjatë ditës së hapur u thekusa edhe një herë se Forca e Sigurisë së Kosovës mbetet një ushtri profesionale dhe multietnike, në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit, pa dallim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos