Rezervat shtetërore, Kurti ofron dy data për këtë javë për dëshmi në prokurori

Nga Ideal Gola
23 Dhjetor 2024, 23:54 | Politikë

Kryeministri Albin Kurti i ka ofruar Prokurorisë Speciale dy orare për këtë javë në të cilën prokurorët mund të shkojnë në zyrën e tij për të marrë dëshminë për rastin e njohur si rezervat shtetërore.

Kjo është konfirmuar të hënën nga vetë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se Kurti nuk po i shmanget ftesës së Prokurorisë Speciale.

“Tashmë, gjatë kësaj jave kanë mbetur dy data që kabineti i kryeministrit i ka propozuar Prokurorisë Speciale. Konsideroj se nuk ka asnjë arsye që prokurorët, të cilët thuhet se janë të interesuar që të marrin dëshminë e kryeministrit Kurti për rezervat shtetërore, nuk ka asnjë arsye që ata të refuzojnë që t’i përgjigjen kërkesës së kryeministrit për ta intervistuar në zyrç, siç ka kërkuar kryeministri Kurti”, deklaroi ministrja.

Haxhiu shtoi se nuk ka asgjë të paligjshme në kërkesën e kryeministrit Kurti e madje edhe në të kaluarën zyrtarë të lartë janë intervistuar në ndërtesën e Qeverisë: “E dinë shumë mirë edhe si i kanë pritur, edhe si kanë dalë prokurorët nga zyrat e niveleve të larta. Mos më detyroni të jap më shumë informacione se kaq, informacionet për këto i kemi siguruar nga vetë Prokurroia Speciale, nga zyrtarë që punojnë në Prokurori Speciale”.

Avokati Musa Damati, që përfaqësoi ish-ministrin Pal Lekaj në rastin e njohur si “53 milionëshi”, tha për A2 se në këtë rast një ish-kryeministër dhe një ish-ministër ishin intervistuar në zyrat e tyre në fazat e hershme të procedurës: “Ka një precedent në Republikën e Kosovës të dëgjimit të dëshmitarëve të profileve të larta, të cilët për shkak të agjendës, protokollit të tyre të punës, mund të intervistohen edhe jashtë zyrave të Prokurorisë Speciale”.

Avokati Damati, të gjithë debatin për dëshminë e Kurtit, e cilëson si spektakël: “Gjithë ky debat rreth intervistimit të kryeministrit aktual mendoj më tepër konsiston në një spektakël se sa në një veprim procedural i cili do të mund të kryhej pa shumë zhurmë dhe në koordinim të agjendave midis dy institucioneve”.

Prokuroria Speciale nisi hetimet për rezervat shtetërore pas publikimit në media të disa përgjimeve ku pretendohej se Kosova nuk kishte pranuar sasinë e vajit dhe të grurit të paguar. Qeveria në vazhdimësi e ka mohuar se ka të bëjë me elemente të korrupsionit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos