Rikthimi historik, Haziri: Ne e kemi një marrëveshje me Trump, shumë më e mirë se ajo Kurti-Vuçiç

Nga A2 CNN
6 Nëntor 2024, 21:08 | Politikë

Botë sot ka një qendër të re graviteti. Ky gravitet ka qenë gjithmonë Amerika, por emri i personit që do të drejtojë Shtëpinë e Bardhë nuk është më Biden, por do të jetë ai që ishte para 4 vitesh: Donald Trump. Por ajo që shqetëson të gjithë është pikërisht qasja që do të ketë administrata e re ndaj disa çështjeve të nxehta, sidomos në Kosovë.

Shumica bien dakord se Kosova nuk është më qendra e botës, pasi ka shumë vatra më të nxehta, por për ne ajo mbetet qendra e botës.

Ndaj, sjellja e Trump ndaj saj do të jetë vëmendja e madhe e ardhshme. Për të biseduar se çfarë qëndrimi ka për këtë ndryshim, opozita në Kosovë, foli në Ditarin e Kosovës në A2 CNN nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

Nënkryetari i LDK-së u shpreh tejet optimist me rikthimin e Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë, madje u shpreh se Kosova e ka një bazë marrëveshje me Trumpin dhe ajo qëndron ende në fuqi dhe sipas tij, është shumë herë më e mirë se marrëveshja Kurti-Vuçiç për Kosovën.

“Zoti Hoti e ka arritur një marrëveshje dhe ajo është e konfirmuar nga shtabi i Trump edhe gjatë fushatës zgjedhore, që do të jetë marrëveshja e kornizë bazë që do të rikthejë rolin amerikan në këtë drejtim, megjithatë është herët. Trump e merr detyrën me 20 janar, Kosova është në zgjedhje më 9 shkurt në zgjedhje. Kjo periudhë e tranzicionit është më e gjatë seç mendojmë ne në Kosovë. Me rëndësi, ne do të mbetemi nën kujdesin e qeverisë amerikane.

Marrëveshja në zyrën ovale ka një bazë shumë herë më të mirë sesa marrëveshja Kurti-Vuçiç e 27 shkurtit në Bruksel apo ajo e Ohrit, marrëveshje të këqija. Kurti po blen kohë për të mos i zbatuar dhe kjo ka sjellë edhe sanksione europiane dhe marrëdhënie të kryqëzuara amerikane”, tha Haziri në Ditarin e Kosovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos