Kuvendi i pakonstituuar, partitë kërkojnë t’i merret Vetëvendosjes e drejta për kryeparlamentar

Nga Ideal Gola
23 Korrik 2025, 18:18 | Politikë

Kuvendi i Kosovës u mblodh sërish të mërkurën në vazhdimin e seancës konstituuive, e parafundit para skadimit të afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Kësaj radhe nuk pati votim, por ndërprerje të menjëhershme të seancës për shkak të përplasjes së deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, me kryesuesin e seancës, Avni Dehari. Musliu kërkonte të vazhdonte fjalimin e saj në foltore kundër vullnetit të Deharit i cili ia ndaloi mikrofonin, shkruan A2.

Seanca e 51 me radhë u mbajt një ditë pasi Presidentja Vjosa Osmani dërgoi në Kushtetuese një kërkesë për sqarime shtesë në lidhje me situatën në Kuvendin e Kosovës. Partitë deri dje në opozitë mendojnë se një mundësi për të dalë nga kriza është që Vetëvendosjes t’i merret e drejta për të propozuar emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit.

Memli Krasniqi i PDK-së deklaroi: “Nëse ne nuk arrijmë që ta konstituojmë Kuvendin brenda 30 ditëve, pikëpyetje e madhe është se a kemi të drejtë ta konstituojmë në ditën e 31-të”.

Lumir Abdixhiku i LDK-së tha: “Gjykata Kushtetuese është e qartë dhe thotë se e drejta për propozim i takon të parit dhe përgjegjësia për formimin e shumicës i takon të parit. Nëse i pari nuk dëshiron të shfrytëzojë këtë të drejtë, atëherë do të ishte e logjikshme dhe si përfundim se kjo e drejtë t’i merret dhe t’i kalojë atij që mund ta bëjë”.

Ndërsa Ramush Haradinaj tha: “Mendoj se gjykata nuk mundet tani ti ikë çka pas 30 ditëshit, çka nëse partia që ka të drejtë të nominojë nuk arrin t’i ketë votat ose ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit, jam i bindur se do të gjejmë një zgjidhje”.

Edhe nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje thanë se kanë mirëpritur kërkesën e Presidentes Osmani, ndërsa konfirmuan se Nismës i janë ofruar “disa pozicione”.

Faton Peci u shpreh: “Unë e shoh në frymën dhe në prizmin pozitiv për të mund të evitojmë një situatë që nuk është lehtë e parashikueshme çka pas një afati”.

Në anën tjetër, kreu i Nismës, Fatmir Limaj tha se shpreson që gjykata të marrë masë të përkohshme për të pezulluar afatin 30-ditor, ndërsa paralajmëroi se nuk do të hyjnë në koalicione që do të ishin jetëshkurtër: “Qëndrimi i Nismës është që ne nuk besojmë në zgjidhje parciale, ne duam një shumicë qeverisëse e cila e konstituon edhe Kuvendin edhe krijon qeverinë. Nisma nuk do të kontribuojë, nuk do të jetë kontributore në zgjidhje gjysmake që pastaj do të shkaktonin zgjedhje”.

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën konstituuive që nga 15 prilli, por pa sukses për ta përmbyllur atë.

Arsyeja është kandidatja për kryetare Albulena Haxhiu e cila nuk mori 61 vota, ndërsa së fundmi edhe përpjekja për të pasur një votim të fshehtë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos