Shpërthimi në Ibër-Lepenc, Kurti: Radoiçiçi dha urdhrin, Serbia financoi sulmin

Nga A2 CNN
24 Dhjetor 2024, 23:16 | Politikë

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se urdhërdhënës dhe planifikuesi i sulmit në kanalin e Ibër Lepencit është Milan Radoiçiç, ndërsa financues shteti i Serbisë. Gjatë një konference pasditen e së martës, ai dha detaje në lidhje me rastin.

Ai tha se për sulmin janë angazhuar dy grupe nga Radoiçiç. Grupi i parë ka ofruar mbështetje logjistike në terren, ndërsa grupi i dytë, me profesionistë e me persona edhe nga strukturat e sigurisë së Serbisë, e kanë ekzekutuar planin.

“Bazuar në informacionet inteligjente që i posedojnë institucionet e sigurisë, prapa urdhrit për sulmin me eskploziv në kanalin e Ibër Lepencit qëndron Milan Radoiciç dhe grupi i tij terrorist që po streohet dhe mbështetet nga Serbia. Për planifkimin, financimin dhe logjistikën e sulmit ka përgjegjësi shteti i Serbisë”, deklaroi Radoiçiç.

Kurti si dëshmi ka përmendur disa komunikime të koduara, ndërsa përmendi në mënyrë kronologjike edhe 15 sulme që kanë ndodhur nga qershori deri në nëntor, të cilat, sipas tij, kanë pasur për synim të dëmtojnë Kosovën.

Pikërisht duke u bazuar në komunikime dhe në synimet e Serbisë dhe organizatave terroriste, Kurti tha se janë paralajmëruar akte të tilla edhe gjatë dy javëve të ardhshme.

“Sulmet e tjera terroriste dhe sabotazhi ndaj infrastrukturës kritike dhe objektivave të tjera të rëndësishme në Kosovë, sidomos në veri, janë paralajmëruar nga organizata terroriste që po strehohen në Serbi duke përmendur festat e fundvitit dhe Krishtlindjet ortodokse”, u shpreh Kurti.

Duke u ndalur te moscertifikimi i Listës Serbe për të garuar në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe reagimet ndërkombëtare, Kurti u shpreh se ky subjekt është dega më besnike e partisë së Vuçiçit dhe nuk përfaqëson serbët e Kosovës dhe mbetet krahu politik i terroristit Radoiçiç: “Lista Serbe është pengesa më e madhe e integritetit të vërtetë të serbëve në Kosovë, prej djegies së veturave e pronave, te rrahja brutale e serbëve që integrohen e deri te ngacmimet, kërcënimet, shantazhet, që u bëhen serbëve në Kosovë që të gjitha këto mbajnë, edhe nënshkrimin, edhe vulën e Listës Serbe”.

Kurti u pyet nga gazetarët edhe për dhënien e dëshmisë së tij pranë Prokurorisë Speciale. Ai shtoi se është i hapur, por përsëriti se prokurorët duhet të shkojnë në zyrën e tij.

“Jam i hapur, jam i gatshëm, jam me vullnet dhe i interesuar që në kryeministri të jap deklaratën time si dëshmitar siç kanë kërkuar, por meqënëse kjo gjë është bërë edhe në të kaluarën, ekzistojnë konfirmimet për këtë edhe në kryeministri, i di edhe vetë prokuroria, atëherë unë kam ofruar disa orare kur kjo do të mund të bëhej dhe po pres që me këtë çështje të merrem duke dëshmuar e jo duke deklaruar mbi dëshminë e cila nuk po ndodh”, theksoi Kurti.

Kryeministri Albin Kurti është ftuar nga Prokuroria për dëshmi për rastin e njohur si rezervat shtetërore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos