Supremja shkund qeverinë, (pa)ligjshmëria e vendimeve të qeverisë Kurti

Nga A2 CNN
16 Korrik 2025, 19:34 | Politikë

Kosova po përballet me një krizë të re pas një vendimi të Gjykatës Supreme për një udhëzim administrativ të Ministrisë së Financave, që tha se nxjerrja e akteve nënligjore nga ministrat që janë deputetë shkel dispozitat kushtetuese.

Megjithëse vendimi vlen vetëm për udhëzimin administrativ për arkat fiskale, kjo ka hapur rrugën që edhe vendimet e tjera të mund të kontestohen.

Në vlerësimin e juristëve, duke u bazuar në këtë aktgjykim, edhe vendimet e tjera të Kurtit dhe ministrave që janë zgjedhur deputetë nga data 27 mars kur janë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve janë të paligjshme.

“Pasojat juridike janë se të gjitha vendimet e marra nga deputetë të cilët në mënyrë të paautorizuar, të kundërligjshme, kundërkushtetuese, kanë ushtruar funksionin e ministrit apo kryeministrit për mua janë vendime të cilat duhet të anulohen por mendoj se ka punë edhe Prokuroria Speciale e Kosovës për të hetuar se a ka elemente të veprave penale”, shprehet avokati Xhevdet Smakiqi.

Juristët thonë se e gjithë kjo situatë do të ishte shmangur nëse ushtrimi i funksioneve do t’i kalonte zëvendësve që nuk janë zgjedhur deputetë.

“Po të zbatohej saktë dhe drejtë neni 31 dhe 26 i Ligjit për qverinë atëherë zëvendëskryeministri do të merrte funksionin e kryeministrit, në këtë rast Besnik Bislimi që nuk është deputet dhe të gjithë zëvendësministrat e tjerë të cilët nuk janë deputetë mund të ushtrojnë funksionet ekzekutive në detyrë për çështje të domosdoshme buxhetore, të kujdestarisë deri në zgjedhjen e qeverisë së rregullt” , shton avokati

Qeveria ka reaguar e shqetësuar me vendimin e Supremes duke thënë se përbën interpretim të njëanshëm e arbitrar të dispozitave ligjore.

“Kundërshtimi publik i një aktgjykimi të një instance më të lartë të gjykatave të rregullta nga pushteti ekzekutiv, jo vetëm që përbën ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit, por është edhe shkelje flagrante e parimit të ndarjes së pushteteve, që është themel i rendit kushtetues në një shtet demokratik, duke cenuar integritetin e gjyqësorit dhe duke nxitur mosbesim institucional”, tha Naim Jakaj.

Njohësit thonë se vendimi i Supremes është i drejtë dhe është i obligueshëm për t’u zbatuar. Kosova është zyrtarisht me Qeveri në detyrë që nga data 23 mars e këtij viti kur ekzekutivi aktual përmbushi mandatin e plotë 4-vjeçar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos