Zyra e Kryeministrit të Kosovës i është drejtuar përmes një letre Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke kërkuar që ta detyrojë Prokurorinë Speciale që të marrë dëshminë e Albin Kurtit brenda zyrës së tij në Qeveri.
"Kërkesa e tij që kjo të ndodhë në ambientet e Zyrës së Kryeministrit është plotësisht e arsyeshme dhe nuk mund të interpretohet si shmangie nga drejtësia. Në dritë të kësaj, me respekt kërkojmë nga Gjykata që të obligojë Prokurorinë Speciale të marrë dëshminë e kërkuar, brenda Zyrës së Kryeministrit", thuhet në letër, shkruan A2 CNN.
Më 19 shkurt, Prokuroria Speciale njoftoi se i ka kërkuar Gjykatës Themelore që ta urdhërojë kryeministrin Kurti që të paraqitet në cilësinë e dëshmitarit në një rast të hapur lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore, pasi Kurti kishte refuzuar dy ftesat e mëparshme.
(A2 Televizion)