Simpatizantët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë nisur festën në Prishtinë pasi duket se Lëvizja Vetëvendosja ka siguruar rreth 50% të votave në zgjedhjet e parakoheshme, çka i jep mundësinë të qeverisë e vetme, shkruan A2 CNN.
Dhjetëra mbështetës së lëvizjes kanë shkuar në selinë e partisë duke festuar e kërcyer nën ritmet e këngëve patriotike. “Kemi ardhur nga Gjermania veç për të votuar”, thotë një mbështetës për A2 CNN. “Jetoj në Belgjikë... Albini ka punuar shumë mirë dhe pres akoma më mirë. Ka pasur të gjithë kundër po prapë ia ka dalë”, thotë një tjetër simpatizante.
“Jam nga Gjermania, kemi ardhur për të vizituar familjarët, por edhe për të votuar. Një njeri që nuk vjedh duhet ta votosh. Kemi ardhur vetëm për të mbrojtur votën e çdo njeriu të lirë, e jo t’i blejnë votat me nga 50 euro. Punën kryesore e ka pasur me Veriun, Veriu u çlirua, tani mendojmë për zhvillimin e vendit, hapjen e vendeve të reja të punës dhe zhvillim ekonomik”, thotë një tjetër simpatizant nga Diaspora. “Jemi të zhgënjyer me partitë e tjera”. (A2 Televizion)