Ministri në detyrë i Bujqësisë në Kosovë, Faton Peci, është zyrtarisht kandidati i përbashkët i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Guxo për kryetar të komunës së Mitrovicës.
VV njoftoi se kandidatura e Pecit ka mbështetjen unanime të degës së saj në Mitrovicë, të udhëhequr nga deputeti Armend Muja.
“Lëvizja VETËVENDOSJE mbështet fuqishëm kandidaturën e Faton Pecit për kryetar të komunës së Mitrovicës. Më 12 tetor, Mitrovica guxon të vetëvendosë për fitoren e madhe në komunë. Në mbledhjen e mbajtur sot kryesia e qendrës, drejtuar nga kryetari i qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Mitrovicë, deputeti Armend Muja, vendosi unanimisht që të mbështesë kandidaturën e Faton Pecit nga Partia Guxo për kryetar të komunës”, ka shkruar VV-ja në rrjetet sociale.
Sipas VV-së, Peci është zgjidhja më e mirë për qytetin, duke e vlerësuar për integritetin dhe sukseset si ministër, veçanërisht në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural.
“Me mbështetje të fuqishme dhe të pakushtëzuar nga Lëvizja, Faton Peci vjen si zgjidhja më e mirë për Mitrovicën. Ai nuk është vetëm një emër i njohur për integritetin dhe përkushtimin e tij institucional, por edhe një prej ministrave më të suksesshëm të Qeverisë Kurti, i cili ka sjellë investime dhe reforma të thella në bujqësi, zhvillim rural dhe përkrahje për fermerët në çdo cep të vendit”, thuhet tutje në deklaratë. (A2 Televizion)