Institucionet publike në Kosovë kanë shpenzuar rreth 793 mijë euro për të paguar punonjës të nacionalitetit serb pa punuar asnjë ditë.
Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, gjatë vitit 2022 kanë qenë 129 zyrtarë të komunitetit serb të angazhuar në institucionet publike të Republikës së Kosovës sipas marrëveshjes së Brukselit të cilët nuk kanë vijuar punën dhe nuk kanë zhvilluar aktivitete në kuadër të ministrive përkatëse.
Këta punonjës kanë qenë të shpërndarë në katër ministri.
Në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ishin të sistemuar 64 punonjës, në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) 20 punonjës, në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim (MKK) 20 punonjës si dhe në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) 25 punonjës.
“Për vitin 2022 vlera totale e këtyre pagesave ishte 792,955 euro. Kurse sa i përket vitit 2023 nuk i kemi të dhënat sepse auditimi është ende në proces të realizimit.” Zyra Kombëtare e Auditimit.
A2CNN ka dërguar pyetje edhe pranë Zyrës së Kryeministrit për të pyetur nëse këta punonjës vijojnë të paguhen dhe nëse kanë ndërmarrë veprime për të zgjidhur këtë çështje, por nuk kanë kthyer përgjigje.
Avokati i Popullit, pavarësisht se e cilëson më shumë si çështje politike, thotë se nuk beson se ka bazë ligjore që këta persona të paguhen nga shteti pa shkuar asnjë ditë në punë.
“Në aspektin e trajtimit që i bëhet këtyre rasteve mendoj se duhet të vijë në shprehje ligjshmëria dhe respektimi i procedurave ligjore e atyre rregullave që janë përcaktuar për të gjithë. Por që mendoj që më shumë është çështje politike sesa çështje që lidhet me të drejta të njeriut,” shprehet Naim Qelaj, Avokat i Popullit.
Përpos këtyre 129 punonjësve, në gjysmën e parë të vitit 2022 ishin paguar edhe 52 punonjës të tjerë.
Prej tyre, Ministria e Arsimit kishte 32 punonjës të cilët në pjesën e dytë të vitit u kishte siguruar kushte dhe kishte vijueshmëri të të punësuarve si dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për 20 punonjës në gjysmën e dytë të vitit u kishte ndërprerë pagat. (A2 Televizion)