
Ministri i Drejtësisë Igor Fillkov ka reaguar një ditë pas protestës së mbajtur në Shkup, ku mijëra studentë shqiptarë protestuan duke kërkuar mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Fillkov e konsideroi protestën të dhunshme, ndërsa theksoi se gjuha maqedonase nuk është pengesë, por një obligim, shkruan A2CNN.
“E drejta e protestës është demokratike, por askush nuk ka të drejtë nëpërmjet protestave të dhunshme të kërkojë shkatërrimin e kritereve dhe standardeve në gjyqësor. Ministria e Drejtësisë mbetet e hapur për dialog të argumentuar institucional, por nuk do të lejojë devalvim të sistemit juridik, as varrosje të rolit të gjuhës maqedonase si shtyllë e shtetësisë dhe rendit institucional. Gjuha maqedonase nuk është pengesë, ajo është obliguese, vlerë kushtetuese dhe garanci për funksionimin e shtetit”, tha ministri.
Fillkov e konsideron patolerueshme që çështja e provimit të jurisprudencës të shfrytëzohet për pikë politike dhe krijim të tensioneve ndëretnike. (A2 Televizion)