Ekspertja e marrëdhënieve ndërkombëtare, Juxhina Sotiri, ka komentuar deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiç, i cili tha se Serbia është më e armatosur se kurrë.
E ftuar në emisionin “Off the Record” në A2 CNN, Sotiri e cilësoi retorikën e Vuçiçit si pjesë të strategjisë politike për ruajtjen e pushtetit.
“Vuçiç dhe Kurti janë të ngjashëm si ‘kafshë politike’, ku mbajtja e pushtetit shpesh mbështetet te krijimi i frikës nga një armik, qoftë i jashtëm apo i brendshëm”, u shpreh ajo.
Sipas saj, Serbia ka arritur të rrisë ndjeshëm fuqinë ushtarake përmes marrëveshjeve me vende të Bashkimit Europian, duke përfshirë edhe pajisje si dronë modernë dhe mbështetje nga Izraeli. Megjithatë, ajo theksoi se nuk sheh një kërcënim jetik për Kosovën, për shkak të pranisë së KFOR dhe strukturave ndërkombëtare të sigurisë.
“Kosova e ka të garantuar sigurinë përmes KFOR-it dhe misioneve ndërkombëtare. Nuk shoh një rrezik të drejtpërdrejtë ekzistencial”, tha Sotiri.
Ajo ngriti shqetësimin për rritjen e polarizimit politik dhe etnik brenda Kosovës, duke theksuar se ky proces mund të forcojë më tej rezistencën dhe përfaqësimin politik të serbëve në vend.
“Ndoshta polarizimi i skajshëm po e bën më agresive rezistencën dhe po rrit ndikimin e Listës Serbe në skenën politike”, u shpreh ekspertja. (A2 Televizion)