SHBA presion NATO-s për reduktimin e misioneve. A do të preken trupat në Kosovë?

Nga A2 CNN
19 Shkurt 2026, 11:46 | Rajoni & Bota

SHBA presion NATO-s për reduktimin e misioneve. A do të preken trupat

SHBA-të nën drejtimin e Donald Trump po i bëjnë presion NATO-s që të reduktojë ndjeshëm aktivitetet jashtë territorit tradicional, thuhet në një artikull të fundit të “Politico”, raporton A2CNN.

Sipas katër diplomatëve të NATO-s po shihet mundësia e përfundimit të një misioni kyç të aleancës në Irak. Aktualisht NATO ka një mision këshillimor në Irak që ka si qëllim forcimin e institucioneve të sigurisë dhe parandalimin e rikthimit të Shtetit Islamik.

Në artikull thuhet se aleatët europianë janë të shqetësuar në lidhje me sinjalet e Uashingtonit për të reduktuar praninë e NATO-s në Kosovë. Misioni paqeruajtës KFOR, i autorizuar nga OKB-ja dhe i vendosur në vitin 1999 pas luftërave në ish-Jugosllavi, aktualisht numëron rreth 4,500 trupa.

Bashkëpunëtorja e lartë e politikave në Këshillin Europian për Marrëdhëniet me Jashtë, Engjëllushe Morina, ka thënë se misioni mbetet i domosdoshëm për sigurinë rajonale. “Nëse NATO-ja tërhiqet, kjo mund t’i inkurajojë separatistët serbë në veri të Kosovës dhe të ketë efekt zinxhir në rajon, përfshirë Republikën Sërpska në Bosnje e Hercegovinë”, shprehet ajo.

Jemi mjaft të shqetësuar” për përpjekjet për të reduktuar misionin, tha një diplomat i pestë i lartë i NATO-s, pasi “gjërat në Ballkanin Perëndimor mund të përshkallëzohen shpejt”.

I kontaktuar nga “Politico” një zyrtar i NATO-s që fliste në emër të organizatës tha se “nuk ka asnjë afat kohor të lidhur me Misionin e NATO-s në Irak... ose me KFOR-in”, duke shtuar: “Këto misione bazohen në nevojë, i nënshtrohen rishikimit periodik dhe përshtaten me evoluimin e rrethanave.”  Për momentin, nuk është marrë asnjë vendim për përfundimin e asnjërit prej operacioneve.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos