
Kryeministri Rama paralajmëroi në takimin me kryediplomatin grek, Nikos Dendias, se bisedime shumë pozitive janë duke u zhvilluar mes dy vendeve për heqjen e ligjit të shumë-debatuar të luftës që Greqia ka ndaj Shqipërisë.
Gjithashtu, kreu i qeverisë bëri me dije se kanë nisur bisedimet mes dy qeverive për të organizuar një mbledhje të përbashkët për të trajtuar çështjet me rëndësi për njerëzit në të dyja anët e kufirit.
“Kemi rënë dakord për një mbledhje të parë mes dy qeverive për t’u marrë me çështje që kanë rëndësi për njerëzit. Çështjet e patriotizmit nacional-folklorik nuk janë të qeverive tona. T’i japim një shtysë kësaj marrëdhënie dhe të ndërtojmë së bashku një të ardhme në paqe dhe prosperitet për të gjithë.
Dhe në mbyllje dua të them që nuk është një çështje që mund ta konsiderojmë të zgjidhur, por është një diskutim shumë pozitiv dhe së shpejti kam besim do të përfundojë në mënyrë pozitive që është heqja e ligjit të luftës. Pasi humbën detin nacional-folklorikët do të humbin dhe tokën. Në tokë dhe në det nuk do kenë më çështje për t’u marrë." (A2 Televizion)