
Deklarata e kryeministrit Rama drejtuar SPAK solli reagime të shumta nga ana e opozitës, duke e konsideruar atë një sulm direkt ndaj instucioneve të drejtësisë.
Reagimi më i fundit vjen nga Oerd Bylykbashi, i cili duke ironizuar përmes një statusi në rrjetet sociale, shkruan se SPAK mjaftonte që të shkonte në Asamblenë e PS për të plotësuar planin e punës.
“Mjaftonte që SPAK të shkonte dje me një sasi prangash tek Asambleja e PS e do të kishte plotësuar planin e punës për tre breza. Do ta fitonte ndeshjen me korrupsionin në kohë shtesë me “golden goal”, shkruan Bylykbashi.
Kritika të ashpra adresoi kryeministri Edi Rama një ditë më parë ndaj SPAK-ut. Në mbledhjen e Asamblesë Socialiste ai bëri përgjegjës SPAK-un sërish për Sali Berishën , i cili sipas tij po sfidon drejtësinë dhe i bën karshillëk SHBA-së dhe popullit.
Rama i bëri thirrje SPAK-ut që të zgjohet dhe t’i dalë në mbrojtje Shqipërisë, pasi sipas tij e keqja e ka vënë përfund Shqipërinë. (A2 Televizion)