
“Rinia kuksiane është lënë në harresë prej shtatë vitesh nga Edi Rama”. Kështu ka deklaruar nga Kukësi kreu demokrat Lulzim Basha gjatë një bisede me të rinjtë.
Duke folur për fenomenin e largimit të brezit të ri nga vendi, Basha tha se ata janë të detyruar për shkak të gjendjes ekonomike dhe pamundësisë për të vazhduar studimet. Sipas tij Rama i preu në besë studentët e Kukësit, duke mbyllur filialin e Universitetit të Tiranës.
“Gjendja ekonomike, pamundësia për të vazhduar studimet universitare dhe papunësia, i kanë detyruar shumë të rinj të largohen nga vendi. Rama i preu në besë studentët e kësaj treve, duke mbyllur filialin e Universitetit të Tiranës. Shumë prej të rinjve nuk e vazhdojnë dot shkollën e lartë, pasi e kanë të pamundur ta përballojnë koston e studimeve dhe jetesës në Tiranë. Është e pafalshme që këta të rinj nuk kanë mundësi të shkollohen dhe të punësohen”.
Shqipëria, tha Basha i ka të gjitha mundësitë për t’u ofruar punësim të rinjve dhe një jetë më të mirë banorëve të saj, nga burimet njerëzore, natyrore, infrastruktura dhe energjia.
Kryedemokrati theksoi se prioritet i qeverisjes së PD-së kur të vijë në pushtet do të jetë mundësia për studim e të rinjve, duke ofruar 10 mijë praktika pune 1-vjeçare të paguara nga shteti
“Ne do t'u krijojmë studentëve mundësinë për 10 mijë praktika pune 1-vjeçare të paguara nga shteti. Do të investojmë në lidhjen e arsimimit me tregun e punës dhe sipërmarrjen. Përparësi e veçantë në qeverisjen e ardhshme është mbështetja financiare nëpërmjet stimujve fiskal e sipërmarrjeve të të rinjve si dhe e bizneseve që ofrojnë vende pune me paga dinjitoze për të rinjtë.
Bashkë me të rinjtë, ne do ta ndryshojmë fatin e vendit dhe do ta kthejmë Shqipërinë në vendin e mundësive për çdo të ri dhe të re shqiptare”. (A2 Televizion)