“Rama ka vendosur një sistem persekutimi”, Berisha: Shqiptarët po largohen çdo ditë nga vendi

Nga A2 CNN
8 Tetor 2022, 12:18 | Politikë
“Rama ka vendosur një sistem persekutimi”, Berisha:

Kriza ekonomike, çmimi i energjisë elektrike dhe largimi i shqiptarëve nga vendi ishin në fokus të bisedave të kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha me banorët e Libohovës në qarkun e Gjirokastrës. Në fjalën e tij kreu i selisë blu, tha se shqiptarët po largohen çdo ditë e më shumë nga vendi, pasi varfëria dhe skamja po bëhen gjithnjë e më problem për ta.

“Unë vij këtu sot te ju, në një moment, në një udhëkryq të vërtetë për Libohovën, Gjirokastrën dhe mbarë Shqipërinë. Vij në një moment kur para syve tanë, Shqipëria ecën çdo ditë e më shumë në drejtimin e gabuar. Para syve tanë, shqiptarët largohen çdo ditë e më shumë nga vendi. Para syve tanë, varfëria, skamja bëhen gjithnjë e më problem për shqiptarët. Vij këtu, kur vendi ka një qeveri, e cila nuk përpiqet të fshehë me asgjë arrogancën e saj ndaj qytetarëve. Përçmimin e vërtetë që ka për qytetarin, interesat e tij dhe problematikat e tij. Një qeveri që mbulon çdo akt të papërgjegjshëm të saj me mashtrimin. Por mbi të gjitha, një qeveri që me vjedhjet, abuzimet dhe shpërdorimet që bën, rrënon ekonominë e familjeve shqiptare”.

Ai e akuzoi kryeministrin Rama se ka vendosur një sistem persekutimi ndaj shqiptarëve.

“Edi Rama ka vendosur një sistem persekutimi ndaj shqiptarëve. Nuk ekziston kund në Europë një sistem i tillë. Unë vij këtu dhe kam qenë jashtëzakonisht i prekur nga akti i një mësueseje, 30 vjet mësuese shembullore. U shërbeu fëmijëve tuaj, i shërbeu komunitetit tuaj dhe nxirret shtëpiake vetëm për motive politike. Do u them një gjë: ne që kemi përjetuar diktaturën, për ata që i kishte armiq klase, i çonte në kampe përqendrimi, burgje, por një qëndrim të tillë ndaj një mësueseje 30 vite në detyrë, nuk e mbante kurrë. Nuk imagjinohej. Ky është një skenar i turpshëm, një akt i turpshëm, që tregon krizën totale morale të këtij regjimi. Ti nuk mund të sillesh në atë mënyrë. Sigurisht, ose përcakton status, ose ndan ato orë siç janë. Por kjo nuk ndodhte në diktaturë. Nëse nuk ishte i klasifikuar armik klase, sistemohej në një mënyrë apo tjetër, por nuk flakej. Kudo që shkoj, gjej qindra e qindra qytetarë të dënuar, intelektualë, profesionistë, të larguar për motive politike. Ky është një sistem persekutimi”.

Sipas Berishës. pasuritë e mëdha të vendit nuk janë mirëqenie për qytetarët, por janë kthyer në një mallkim për ta.

“Sot, problemi themelor për shumicën dërrmuese është problemi ekonomik. Kur shqiptarët konsiderojnë problemin ekonomik, do të thotë familjes së tyre, para së gjithash. Ata kanë një problem serioz ekonomik, që u shton atyre varfërinë, peshën e jetesës, vjen për disa arsye.

Së pari sepse pasuritë e vendit nuk kthehen në mirësi për qytetarët. Pasuritë e mëdha të tij janë kthyer në një mallkim për qytetarin. Le të marrim energjinë, ju jeni dëshmitarë, me një politikë serioze, të inkurajimit të ndërtimit të HEC-eve të reja që filloi në vitin 2007, është arritur që falë këtyre hidrocentraleve, prodhimi i energjisë pothuajse të dyfishohet. Është arritur që Shqipëri të prodhojë 2 terravat energji elektrike më shumë se sa konsumon. Pikërisht në këtë kohë, biznesit i rritet energjia nga 71 lekë në 225 lekë. Në vend që t’i ulej. Çdo njeri do priste që t’i ulej.

Pikërisht në këtë kohë, furrave të bukës, që ia kishin lënë 71 lekë, nga janari i këtij viti ua ngre në 225 lekë. Këtë e paguajnë qytetarët, këtë çmim e paguajnë në gramaturën e bukës që blejnë”.

Akuza ndaj kryeministrit Berisha ngriti edhe për çmimin e naftës dhe turizmin, që sipas tij kushton më pak të pushosh në vendet europiane për shkak të biletave të lira sesa në jug të vendit.

“Çfarë ndodh me turizmin? Bëhet një mollë e ndaluar për shqiptarët. Duhet të shkojnë të pushojnë në vende të tjera se u del më lirë bileta me EasyJet se sa të zbresin nga Tirana në jug prej naftës. Vendi prodhon 1 milion ton naftë. Por çfarë përfitojnë shqiptarët? Çmimin më të lartë të naftës, ndër 2-3 vendet më të larta në Europë. Çmim më të lartë se Kosova, se Mali i Zi dhe Maqedonia që nuk prodhojnë asnjë ton naftë. Kjo sepse Rama vendos mbi naftën, taksën më të lartë në botë, vendos atë taksë aq sa rritet nafta në Uashington. Kjo ndodh vetëm në sistemet koloniale. Nuk ndodh në asnjë vend tjetër. E vendosëm rentën, që të ndihmohen komunitetet. Ajo taksë u merrej sipërmarrësve dhe u mbetej komuniteteve. Nuk e shpikëm ne, ajo ishte taksë për të bërë dallimin nga sistemet koloniale. Në mënyrë të verbër, e hoqi rentën. Të vetmen që nuk duhej ta hiqte”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos