
Më 14 maj, socialistët synojnë të marrin kryeqendrën e veriut, bastionin e demokratëve. Për këtë arsye, kryeministri Edi Rama u shpjegoi shkodranëve se pse ka zgjedhur Benet Becin për të përfaqësuar Partinë Socialiste në garën elektorale për këtë bashki.
“Po ta kishim vlerësuar nga ana partiake, është një kandidat zero. Por, arsyeja pse e mendova dhe pastaj të gjithë e mbështetën kandidaturën e Benetit është aftësia e tij për të menaxhuar”, tha kryeministri.
Rama iu përgjigj edhe akuzave të opozitës, që qeveria e majtë nuk ka bërë asnjë investim për veriun për shkak të bindjeve politike të kësaj zone: “Rruga Shkodër-Velipojë është bërë dhe e ka bërë qeveria jonë; rruga për në Theth është bërë; rrugën Shëngjin-Velipojë po e bëjmë ne; muzeun Marubi e kemi bërë ne”.
Dhe për të joshur politikisht votuesit demokratë, kryesocialisti tregoi të vërtetën e tij për rastet kur kryebashkiaku demokrat i Shkodrës nuk ka bashkëpunuar me qeverinë e majtë: “Bashkia Shkodër i lë pa ujë akoma edhe ata të Shirokës, edhe ata të Zogajt, sepse më mirë të ketë etje blu, sesa ujë për të gjithë”.
Në Shkodër, Benet Beci i mazhorancës garon përballë kryebashkiakut aktual, Bardh Spahia, i cili kërkon një rikonfirmim nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë”. (A2 Televizion)