
Brenda muajit prill, Lezha do të ketë maternitetin e ri me kapacitet 55 shtretër, 2 salla operacioni dhe 2 salla lindjeje. Këtë lajm dha ministrja Manastirliu gjatë inspektimit të punimeve së bashku me kryeministrin Rama.
“Investim i qeverisë shqiptare në vlerën 2.9 milionë euro. Do të jetë një maternitet me kapacitet 55 shtretër, 2 salla operacioni, 2 salla lindjeje. Ne jemi përpjekur të ecim me ritme të shpejta të punimeve, pavarësisht situatës së epidemisë dhe brenda muajit mars-prill do ta kemi përfunduar të gjithë këtë projekt”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu tha se po kryhen investime cilësore që do t’i rezistojnë kohës. Gjatë inspektimit në maternitetin e Lezhës, ajo njoftoi se po vijon puna edhe në disa kantiere të tjera për përmirësimin e shërbimit për nënën dhe fëmijën.
“Brenda 4-5 muajve përmbyllet investimi. Ashtu sikurse do të kemi të përfunduar edhe maternitetin e Beratit dhe atë të Kukësit”, bëri me dije ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. (A2 Televizion)