Rama: Masat e reja shtrënguese do të garantojnë lehtësimet në vazhdim

Nga A2 CNN
8 Prill 2020, 16:46 | Aktualitet
Rama: Masat e reja shtrënguese do të garantojnë lehtësimet

Kryeministri Edi Rama, me anë të një postimi në Facebook, deklaroi se “masat e reja shtrënguese, për të cilat po përgatitemi t'i drejtohemi parlamentit për ndryshime në kodin penal & rrugor të Republikës së Shqipërisë, në kushtet e gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe specifikisht epidemisë, nga njëra anë do të mbrojnë popullin nga të pabindurit deri në fund të kësaj lufte, nga ana tjetër do të garantojnë lehtësimet e nevojshme në vazhdim, duke siguruar shëndetin e çdo qytetari”.

“Heqja e lejes së drejtimit të automjetit për disa vjet, e po ashtu heqja e lirisë, për disa apo shumë vite sipas shkallës së shkeljes, do të kthehen në norma bindëse për të siguruar fitoren e luftës pa rrezikuar arritjet e derisotme dhe rrugën e rimëkëmbjes ekonomike pa cenuar shëndetin e askujt”, shtoi kryeministri.

Më tej, Rama shtoi se “brenda 15 prillit do të kemi paketën e zgjeruar financiare dhe gatishmërinë për miratimin e masave lehtësuese në qeveri, si edhe të masave të reja penale në Kuvendin e Shqipërisë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos