
Një ndihmesë të madhe në zgjidhjen e situatës së emigrantëve shqiptarë që mbetën të bllokuar në tokë neutrale në kufirin me Greqinë e dha Këshilli Koordinues i Diasporës, të cilët ndërhynë te qeveria, madje do të paguajnë edhe koston e hotelin ku po qëndrojnë në karantinë emigrantët.
Brikena Muharremi, nga Këshilli Koordinues i Diasporës, avokate në profesion, foli nga Londra në A2, mbi situatën e fundit, por edhe punën që bën ky këshill.
“Ndërhyrja erdhi si rezultat i detyrës që kemi ne si Këshilli Koordinues i Diasporës. Ne e ndjemë si detyrë për të ndihmuar atë njerëz të bllokuar. Ne vendosëm të kërkojmë nga qeveria që ky grup të lejohej të hynte në Shqipëri, ndërsa ofruam ndihmën tonë financiare. Kjo e fundit ishte personale e jona, jo si detyrë e këshillit”, tha Muharremi.
Por çfarë është Këshilli Koordinues i Diasporës? “Këshilli është një institucion i cili u krijua nga shteti shqiptar dhe kompetencat janë që të përfaqësojmë interesat e shqiptarëve dhe t’i propozojë shtetit zgjidhjen e problemit. Rasti i fundit ishte një shembull ku ndërhyrja jonë ishte brenda kompetencave tona. Ne jemi krijuar vitin e kaluar dhe jemi në proces të gjetjes së mekanizmave më efikase, në mënyrë që të kontribuojmë për bashkatdhetarët në situata të ngjashme. Unë mendoj se kjo situatë ishte jo thjesht si detyrë e jona, por si obligim qytetar. Ne individualisht jemi të angazhuar me komunitetet tona në shtetet ku jetojmë. Ne nuk presim që dikush të kërkojë ndihmë, detyra jonë është të jemi aktivë në shqetësimet që prekin diasporën”, tha Muharremi.
Në fund, edhe një apel për të gjithë qytetarët shqiptarë në shtete të ndryshme të botës. “Ne u bëjmë apel qytetarëve tanë që të qëndrojnë në vendin ku jetojnë dhe të respektojnë aty masat e marra ndaj pandemisë së koronavirusit, vetëm në rastet e veçanta ata mund të kërkojnë të kthehen në Shqipëri”. (A2 Televizion)