
Kryeministri Edi Rama, në konferencën e përbashkët për shtyp me Zëvendëspresidentin e Komisionit Europian, Josep Borrell dhe Komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, deklaroi se qeveria shqiptare e ka pezulluar procesin e pasaportave të arta.
“E kemi bërë të qartë që e kemi pezulluar procesin derisa të sqarohet në nivel europian qëndrimi. Ne nuk e shpikëm këtë, e morëm si model nga vendet e BE-së që e kanë zbatuar me sukses. Ka një çështje në Gjykatën Evropiane. Nuk e nxjerrim më si çështje në tavolinë, pa parë se si do të vendosë Gjykata Europiane. Nëse gjykata vendos kundër, kjo është çështje e mbyllur; nëse gjykata vendos pro, çdo vend do të bëjë zgjedhjen e vet”, shtoi Rama.
Nga ana tjetër, kryeministri theksoi se iniciativa e amnistisë fiskale do të vijojë.
“Kemi folur për amnistinë fiskale, qëndrimi ynë është i ditur. E vlerësojmë angazhimin e Komisionit Europian për të na ofruar ekspertizë dhe duam të vazhdojmë punën me ekspertët. Ne nuk heqim dorë thjesht sepse kjo nuk është gjë e mirë në parim. Ne kemi arsyet tona për të menduar që kjo është gjëja e duhur për Shqipërinë. Prandaj i falenderojmë për ekspertizën dhe sot kemi një draft krejt tjetër nga ai që ishte në fillim, pikërisht falë ekspertizës”, shpjegoi Rama. (A2 Televizion)