
Gjatë fjalës së tij hapëse për fushatën elektorale të zgjedhjeve lokale të 14 majit, kryeministri Edi Rama nuk harroi të përmendte dhe rivalët e socialistëve në këtë garë.
Duke i quajtur drejtuesit e koalicionit Berisha-Meta pengje të së shkuarës, damkave non grata apo korrupsionit madhor, kreu i qeverisë përsëriti edhe njëherë thirrjen drejtuar demokratëve që të mos e lidhin fatin e tyre me ata që luftojnë për interesa personale.
“Problemi me ta është se nuk janë as vetvetja, por pengje të së shkuarës, të korrupsionit madhor dhe minimit të demokracisë, të damkës non grata, të parave ruse dhe kontove bankare të fshehta që kanë nisur të dalin mbi ujë si shishet e anijeve të mbytura. Ata janë i mbyturi që të mbyt dhe slogani i vërtetë i tyre është “Pas nesh le të bëhet qameti”. Ata duan të marrin peng sa më shumë bashki, shqiptarë për t’i thënë botës se pa negociuar me ta nuk bashkëpunon dot me Shqipërinë. Për t’u mbrojtur nga drejtësia, duke e thirrur Shqipërinë mbrapsht në kapitullin e zymtë të halleve personale. Nuk kam asnjë këshill për njerëzit e zakonshëm që janë të lidhur me termin demokrat, përveç që mos e lidhni fatin e qyteteve, kopshteve, pastërtisë me dy hije të së kaluarës që rrezikojnë t’iu ndajnë nga treni i zhvillimit kombëtar dhe t’iu kthejnë mbrapa si mish për top të luftës së tyre me mullinjtë e erës”, tha Rama. (A2 Televizion)