
Vjen reagimi i parë nga kampi socialist pas atentatit me tritol të ndodhur mëngjesin e së martës ndaj kryetarit të Partisë Demokratike të Vaut të Dejës, Benard Ndreca.
Drejtuesja politike e Partisë Socialiste për qarkun e Shkodrës Elisa Spiropali u ka bërë thirrje organeve ligjzbatuese që të zbardhin urgjentisht rastin e vendosjes së tritolit në automjetin e Ndrecës.
Spiropali ka reaguar po ashtu edhe ndaj deklaratave të bëra më herët nga Sali Berisha për të cilin tha se duhej të kishte pritur rezultatet e hetimit përpara se të bënte akuza kriminale.
I kërkoj organeve ligjzbatuese të zbardhin urgjentisht aktin kriminal të vendosjes së tritolit në makinën e Z.Ndreca, në Vaun e Dejës. Përgjegjësit duhet të marrin dënimin e merituar.
Ky është akti i dytë kriminal në pak muaj në këtë zonë, pas vendosjes së tritolit jashtë zyrave të OSHEE në Bushat.
Është për të ardhur keq që haxhiqamilisti i Vaut të Dejës, Zef Hila, bashkë me atë të Foltores me qera te Partia e Lirisë, Sali Berisha, nuk presin rezultatet e hetimit, por lëshojnë akuza kriminale ndaj kundërshtarit për të rritur kapitalin politik që tashmë u ka shterrur.
Janë të njëjtët njerëz që në 2019-ën në një akt barbar të pashembullt i vunë zjarrin shkollës në Bushat dhe dogjën materialet zgjedhore.
Për veprimin e tyre kriminal Zef Hila u shkarkua nga kryetar bashkie dhe zjarrëvënësit e tjerë u arrestuan. Fatkeqësisht, drejtësi për aktin nuk u bë. Dosja u mbyll.
E inkurajoj policinë dhe prokurorinë të mos stepen nga sulmet politike, por të bëjnë detyrën deri në zbardhjen e hollësishme të aktit të sotëm dhe vendosjen para drejtësisë të përgjegjësve. (A2 Televizion)
Elisa Spiropali në Facebook