
Përmes një videoje sensibilizuese, kryeministri Edi Rama ka përcjellë mëngjesin e sotëm mesazhin për mbajtjen pastër të qytetit të Durrësit. Përmes zërit të artistëve durrsakë, të të rinjve e të rejave, si edhe kryebashkiakes aktuale të Durrësit Emirjana Sako, kërkohet sensibilizimi i qytetarëve për të mbajtur të pastër qytetin bregdetar, i cili është edhe një prej vendeve turistike më të frekuentuara në Shqipëri. Aktorë e ambientalistë janë angazhuar për ndërgjegjësimin qytetar duke bërë thirrje për pastrimin e Durrësit,
“Mirëmëngjes dhe me urimin që kushdo që mendon si këta bashkëqytetar të famshëm e të dashur për shumëkënd, do të kujdeset më shumë për ta mbajtur pastër shtëpinë tonë, Shqipërinë, ju uroj një fundjavë të qetë” shkruan Rama në Facebook.
Ky mesazh i kreut të qeverisë vjen pas nismës për pastrimin e territorit. Më herët gjatë takimit me kryetarët e bashkive dhe prefektët e qyteteve bregdetare për pastrimin e territorit, Rama tha se objektivi numër një dhe i padiskutueshëm i çdo bashkie duhet të jetë fondi për pastrimin, në të kundërt buxheti nuk do të miratohet. (A2 Televizion)