Rama: Projekt me Azerbajxhanin për gazifikimin e Shqipërisë

Nga A2 CNN
15 Prill 2022, 13:21 | Politikë
Rama: Projekt me Azerbajxhanin për gazifikimin e Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama tha se do të punohet me Azerbajxhanin për një projekt për gazifikimin e Shqipërisë. Rama shtoi gjithashtu se nga bashkëpunimi me këtë shtet, do të ketë edhe projekta të tjera në turizëm.

“Nga njëra anë, do të punojmë shumë ngushtësisht për gazifikimin e Shqipërisë dhe në këtë aspekt hapi i parë shumë i rëndësishëm, është nisja e një pune konkrete për gazsjellësin joniano-adriatik, i cili faktikisht përmes TAP-it lidh pjesën e sipërme që do të thotë Shqipërinë me Malin e Zi, Kroacinë, Bosnjën dhe faktikisht e kthen Shqipërinë në një nyje shumë të rëndësishme të shpërndarjes së gazit.

Nga ana tjetër, kemi folur edhe për t’u ulur së bashku, ekspertët tanë, ekspertët azerë dhe ekspertët turq për të eksploruar mundësinë e ndërtimit të një rafinerie të re. Ashtu sikundër kemi folur edhe për të pasur nga ana e Azerbajxhanit investime në turizëm, duke pasur parasysh edhe shembullin e shkëlqyer që Azerbajxhani ka dhënë në Malin e Zi, me ndërtimin e një infrastrukture ultra moderne mikpritjeje”, tha Kryeministri në një intervistë pas vizitës në Baku.

Rama e konsideroi mik të mirë Presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev, falë edhe Erdogan. “Me presidentin Aliyev jemi në kontakt prej kohësh dhe kemi krijuar një miqësi shumë të mirë edhe falë faktit se nga njëra anë kemi në mes një mik të madh të përbashkët, Presidentin Erdogan. Nga ana tjetër, në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së, Shqipëria ka qenë një mbështetëse e palëkundur e kauzës së Azerbajxhanit për rikthimin e një pjese të territorit nën sovranitetin e vet dhe me këtë vizitë, ne faktikisht kemi hedhur një hap të rëndësishëm, jo se kështu duhet thënë kur bëhet një vizitë, por sepse faktikisht kemi vendosur të nisim një proces për të fuqizuar marrëdhënien tonë bilaterale përmes energjisë dhe turizmit”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos