
Sali Berisha, në një konferencë për shtyp nga selia e Partisë Demokratike, deklaroi se në një kohë që “po vijojnë përpjekjet për shërimin e çarjes së krijuar brenda opozitës”, kryeministri Edi Rama “po vazhdon përpjekjet “për të mbajtur peng PD-në nëpërmjet procedurave antiligjore të padive pa baza”.
“Rama ka një problem madhor me Sali Berishën: nuk bën dot pazare të pista; me Sali Berishën nuk mundet ta tërheqë zvarrë opozitën; i kujtohen edhe 3 disfatat radhazi ndaj Sali Berishës; por, mbi të gjitha merr fund koha kur ai tërhiqte për hunde popullin opozitar”, tha ish-kryeministri.
“Në kampin opozitar vazhdon procesi i zgjedhjeve në degët e PD-së, i afrimit dhe përpjekjeve të ndershme të bazës së partisë për shërimin e çarjes së krijuar. Por, vazhdojnë edhe përpjekjet e Edi Ramës, nëpërmjet ndonjë pengu të tij në opozitë, për të mbajtur peng PD-në nëpërmjet procedurave antiligjore të padive pa baza. Por, këto janë të destinuara të dështojnë. Dënoj me ashpërsinë më të madhe presionet ndaj Gjykatës së Tiranës, për t’i imponuar praktika antiligjore”, shtoi Berisha.
Në lidhje me konfliktin me Enkelejd Alibeajn, Berisha u shpreh: “Alibeaj, i urdhëruar nga Edi Rama nëpërmjet Lulzim Bashës, paditi PD-në në gjykatë. Ai nuk mund të paraqesë ankim ndaj një vendimi gjykate. Përveç kësaj, Alibeaj nuk ka tagër që të firmosë një dokument, përveçse për kohën që njihej si kryetar i grupit parlamentar. Kreu i PD-së dha dorëheqjen, kreu i PD-së aktuale është vetëm Komisioni i Rithemelimit si kryetar kolektiv kolegjial, që do të thotë se firmat e të gjithë komisionit vlejnë, asnjë firmë tjetër. Por, institucionet e narkoshtetit, me urdhër të Edi Ramës, janë të afta që të bëjnë gjithçka. Prandaj u detyrova që t’i them Alibeajt se ai nuk është më kreu i grupit parlamentar për ne. Grupi parlamentar është i PD-së dhe nuk është PD-ja e grupit parlamentar”. (A2 Televizion)